Vendosni fjalën kyçe....

Kush është anëtari i grupit të Ervis Martinajt që u prangos sot, i dha gaz BMW-së sapo pa policinë (Video)


33-vjeçari Mirsad Kuçana dhe vëllai i tij janë ndaluar sot nga policia. Sipas njoftimit zyrtar, i riu i lindur në Tropojë e banues në Durrës nuk ka ndaluar pas sinjalizimit të policisë e më pas është larguar me shpejtësi.

Gjatë manovrave, Kuçana, ka goditur edhe dy mjete të Policisë Rrugore dhe më pas ka braktisur mjetin në një rrugë dytësore në Vorë.

Ai ka tentuar të largohet me vrap por është kapur nga efektivët. Gjatë kontrollit në mjet e trup atij i janë kapur 12.400 franga zviceriane, një thikë e disa sende të tjera.

Kuçana njihet si anëtar i bandës së Ervis Martinajt. Ai është akuzuar si ndër ekzekutuesit e Enton Nikës e plagosjen e Ismet Gaxherrit në restorant Muraga në Linzë në vitin 2015. Kuçana ka qenë pjesë e policisë që prej vitit 2009 deri në vitin 2015.

Njoftimi i Policisë

‘Në Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. K., 33 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Durrës, si dhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij shtetasi E. K.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës i kanë dhëne shenjë për të ndaluar mjetit tip BMW me targa të huaja, në dalje të kryeqytetit, me drejtues shtetasin M. K, por ky i fundit nuk i është bindur dhe ka shtuar akoma më shumë shpejtësinë dhe manovrat e rrezikshme, duke u bërë rrezik serioz për veten dhe punonjësit e Policisë Rrugore, ku në tentativë për t’u larguar, ka goditur dy mjete të Policisë Rrugore të Tiranës, që po e ndiqnin pa ndërprerje, deri sa ka braktisur mjetin në një rrugë rurale në afërsi të Vorës dhe janë larguar në këmbë, por falë ndjekjes nga afër janë prangosur nga efektivët e rrugores, të dy personat dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore e procedurale.

Gjatë kontrollit në mjet dhe në trup, Policia gjeti dhe sekuestroi 12400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta banke zvicerane, në emër të shtetasit M. K.

Arrestimi i shtetasit M. K., u bë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrim prone”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërsa vëllai i tij shtetasi E. K. është proceduar penalisht, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *