Ka nisur në SHBA testimi i vaksinës për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Katër pacientë u vaksinuan në objektin kërkimor Kaiser Permanente në Seattle, Washington.
BBC shkruan se vaksina nuk mund të shkaktojë Covid-19, por përmban një kod gjenetik të padëmshëm të kopjuar nga virusi që shkakton sëmundjen.
Ekspertët thonë se do të duhen akoma shumë muaj për të ditur nëse kjo vaksinë do të funksionojë.
Personi i parë që u vaksinua të hënën ishte një nënë-dy-vjeçare nga Seattle.
“Kjo është një mundësi e mahnitshme për mua të bëj diçka”– tha Jennifer Haller për AP. Shkencëtarët në të gjithë botën janë duke i përshpejtuar studimet e tyre.
Dhe kjo provë e parë njerëzore, është e financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA. Kompania e bioteknologjisë që qëndron pas punës, Moderna Therapeutics, thotë se vaksina është bërë pas një procesi të provuar dhe testuar.
Dr.John Tregoning, një ekspert për sëmundjet infektive në Imperial College London, tha: “Kjo vaksinë përdor teknologjinë ekzistuese. Është bërë në një standard shumë të lartë, duke përdorur gjëra që ne e dimë se janë të sigurta për t’u përdorur tek njerëzit dhe ata që marrin pjesë në eksperiment do të monitorohen shumë ngushtë. Po, kjo është shumë e shpejtë, por është një garë kundër virusit, jo kundër njëri-tjetrit si shkencëtarë, dhe po bëhet për të mirën e njerëzimit”.
Vaksinat tipike për viruset, siç është fruthi, bëhen nga një virus i dobësuar ose i vrarë. Por vaksina mRNA-1273 nuk është bërë nga virusi që shkakton Covid-19.
Në vend të kësaj, ai përfshin një segment të shkurtër të kodit gjenetik të kopjuar nga virusi që shkencëtarët kanë arritur të bëjnë në një laborator.
Kjo shpresojmë se do të përparojë sistemin imunitar të trupit, për të luftuar infeksionin e vërtetë.
Vullnetarëve iu janë dhënë doza të ndryshme të vaksinës eksperimentale. Secili prej tyre do të marrë vaksinën dy herë në total, në një diferencë kohore prej 28 ditësh.
Por edhe nëse këto teste fillestare shkojnë mirë, mund të duhen ende 18 muaj që çdo vaksinë e mundshme të bëhet e disponueshme për publikun.