Në 24 orët e fundit janë konfirmuar katër raste të reja me virusin Covid -19, duke e çuar në 55 numrin në total të të prekurve nga ky virus në vend.
Dy prej të infektuarve të rinj, janë mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, i cili njihet shkurt si Sanatoriumi.
Përgjegjësja e Departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, tha se për shkak të rritjes së numrit të mjekëve të infektuar në këtë spital, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur ta kthejë atë në shërbim të pacientëve me koronavirus.
Sipas përditësimit të të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Tirana deri tani mban rekordin për numrin e rasteve duke shkuar në 38. Ndërsa numri i rasteve në qyteteve të tjera mbetet i pandryshuar, çka do të thotë se harta e qyteteve të prekura mbetet e njejtë.
TË DHËNAT E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË
Katër raste të reja me covid-19, 25 të shtruar në spitalin Infektiv
Sips skenarit, pas spitalit Infektiv, spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID-19
Jemi në terren cdo ditë për të vijuar gjurmimet e rasteve dhe kontaktet e personave që kanë rezultuar pozitivë.
Janë testuar në 24 orët e fundit 42 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 605 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 55 raste:
Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë – 38 raste
Durrës – 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje – 2 raste
Elbasan – 2 raste
Fier – 6 raste
Rrogozhinë – 2 raste
Prej tyre:
25 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina).
Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.
Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 2 raste personel shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar.
Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infetiv dhe Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren.
Dua të bëj një apel për mjekët të zbatojnë me kujdes masat mbrojtëse për parandalimin e infeksionit.
Në lidhje me testimet, dua të them që të gjitha rastet e testuara kanë qenë raste të dyshuara. Ne po përpiqemi të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Këtu po përqëndrohet puna e të gjithë shërbimit në këto momente.
Ju lutemi mos shkoni menjëherë në spital!
Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes!
Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi./Hashtag.al