Policia ka gjobitur me 700 mijë lekë një 29-vjeçar nga Dibra, i cili nuk kishte zbatuar rregullat për t’u vetëkarantinuar pas kthimit nga Italia.
Policia thotë se i riu me inicialet E.S, është kthyer nga Italia më 3 mars mirëpo gjatë kësaj kohe, ai ka lëvizur lirshëm në fshatin e tij duke rrezikuar banorët.
“Ky shtetas, më datë 03.03.2020 është kthyer nga Italia dhe është njoftuar nga specialisti i Policisë së zonës për vetëkarantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19, gjë të cilën nuk e ka respektuar. Gjatë kontrolleve që ka bërë, Policia ka konstatuar se ky shtetas ka frekuentuar ambiente të jashtme në fshatin e tij.
Në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, Policia e ka ndëshkuar këtë shtetas, me masën administrative në vlerën 700.000 lekë“, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia përsërit apelin për qytetarët e kthyer nga vendet e prekura, që të zbatojnë rregullat e vetëkarantinimit për shëndetin e tyre dhe të njerëzve të tjerë.