Tenderat me garë fiktive, fatkeqësisht, janë shndërruar në një normalitet për institucionet publike shqiptare, pavarësisht konstatimeve të shpeshta të Kontrollit të Lartë i Shtetit për procedura të dyshimta të prokurimeve publike.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka publikuar së fundmi rezultatet e tenderit për mirëmbajtjen e sistemit të Regjistrit të Gjendjes Civile.
Tenderi është fituar nga bashkimi i kompanisë austriake “Xion IT System GMBH” dhe asaj shqiptare “Infosoft”. Vlera që ka ofruar operatori fitues është 199 milionë lekë të reja (pa TVSH), rreth 2.5 miliardë lekë të vjetra, duke llogaritur edhe TVSH.
Në bazë të të dhënave zyrtare, krijohen dyshime mbi të gjithë procesin e zhvilluar nga autoriteti kontraktor, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Dyshimet lidhen kryesisht për shpalljen e fituesit, i cili ka ofruar një vlerë thuajse sa fondi limit, si edhe për faktin që konkurenti tjetër në garë ka qenë thjesht “për numër”.
Vlera, sa fondi limit
AKSHI ka shpallur tenderin për mirëmbajtjen e sistemit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Janar të vitit 2020.
Fondi limit i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë tender ishte 199.4 milionë lekë të reja. Fituesi i këtij tenderi do të nënshkruante një kontratë mirëmbajtje dy-vjeçare. AKSHI caktoi si afat limit për dorëzimin e dokumentacionit datën 17 Shkurt.
Në vijim, pas shqyrtimit të ofertave, AKSHI shpalli fitues bashkimin e kompanive “Xion” dhe “Infosoft”, të cilët merrnin përsipër realizimin e shërbimit për vlerën 199 milionë lekë të reja, pra rreth 400 mijë lekë të reja më pak se sa fondi limit.
E shprehur në përqindje, fituesi ka paraqitur ofertën në rendin e 99.8% të fondit limit, një diferencë fare e ngushtë, nga ato që ekspertët e ekonomisë ngrenë “flamurin e kuq” për dyshime mbi procedura të paracaktuara.
Konkurent fiktiv
Dyshimet mbi këtë tender forcohen akoma më shumë, kur konstatohet se konkurenti tjetër në garë, “Kevin Construktion” është përfshirë në garë, pa pasur asnjë lloj interesi.
Referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga AKSHI, kompania “Kevin Construksion” është skualifikuar nga tenderi, për shkak se nuk ka paraqitur ofertë ekonomike.
Nga ana tjetër, në bazë të një verifikimi të thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), rezulton se objekti i punës së kësaj kompanie nuk përkon me objektin e tenderit të zhvilluar nga AKSHI për mirëmbajtjen e sistemit të të dhënave të Regjistrit të Gjendjes Civile.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews