Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm të Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Kurti, ka shkarkuar ministrin e Brendshëm, Agim Veliu.

Shkak për këtë është bërë kundërshtimi i Agim Veliut për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend. Në vend të tij përkohësishe është emëruar zv.ministri, Xhelal Svelça.

Sipas njoftimit të kryeministrit të Kosovës, shkak për këtë është bërë kundërshtimi për vendimin e kreut të qeverisë si dhe përhapja e panikut me deklaratat e tij.

“Mbrëmë vonë, pas mesnate, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu, për televizionin Klan Kosova, u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Ai, gjithashtu, në këtë deklarim, përhapë panik duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”. As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti  Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime”.

“Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”.

“Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kurtit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *