Vendosni fjalën kyçe....

Kryeqyteti mban rekordin, 71% e të infektuarve janë në Tiranë


Tirana mban rekordin e personave të infektuar me virusin Covid-19 në Shqipëri. Sipas të dhënave të përditësuara nga Ministria e Shëndetësisë, numri i të sëmurëve në kryeqytet është rritur në 42, ndërkohë që numri total në të gjithë vendin është 59.

Vetëm sot u konfirmuan katër raste të reja dhe të gjitha janë në kryeqytet, e njëjta gjë ndodhi edhe ditën e djeshme.

“Ju bëj me dije se, në 24 orët e fundit janë testuar 60 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Tre janë raste kontakti në gjendje të mirë shëndetësore dhe një rast i ri, një pacient 66-vjeçar që po trajtohet në terapi intensive në spitalin infektiv në QSUT.”– deklaroi sot Eugena Tomini, përgjegjëse e departamentit të inteligjiencës epidemiologjike në ISHP.

Kujtojmë se në Tiranë u konfirmuan edhe rastet e para me koronavirus. Bëhet fjalë për babanë dhe djalin 28-vjeçar që kishte ardhur nga Firence, i cili pas kthimit në vend nuk e kishte kuptuar se ishte i infektuar dhe infektoi një numër të konsiderueshëm të të njohurve të tij.

Ndërkohë arsyeja e dytë pse ka patur një përhapje akoma më të gjerë në Tiranë, është edhe rasti i pacientit nga Lushnja i cili ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe që sot ka ndërruar jetë.

Pacienti mendohet se ka infektuar 12 persona të tjerë, mes tyre 3 mjeke, një radiograf dhe 3 infermiere të spitalit. Ai ishte shtruar në Sanatorium me probleme të rënda të funksionimit të veshkave. Gjatë trajtimit spitalor, ai zhvilloi pneumoni, prandaj iu bë testi për koronavirus, nga ai cili u zbulua se ai ishte prekur nga COVID-19.

Skema shpjeguese e infektimit të mjekëve dhe pacientëve te spitali Shefqet Ndroqi (Credits: Exit.al)

Një nga hipotezat që është deklaruar dhe nga Ministria e Shëndetësisë, është se ky pacient mund të jetë vizituar në spital nga një i afërm që jeton në Itali. Megjithatë ky vizitor ende nuk është identifikuar dhe nuk dihet nëse i është nënshtruar analizës për Covid-19./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *