Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të anulojnë fluturimet e planifikuara në rast se nuk janë të domosdoshme, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ndërkohë sqaron se një pjesë e konsiderueshme e linjave i kanë anuluar fluturimet për në aeroportin e Rinasit
“Me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe evitimin e riskut të lartë të infektimit është e rëndësishme që të qëndrojmë në shtëpi.
Të gjitha udhëtimet e planifikuara prej jush duhet të anulohen, nëse s’janë domosdoshmërisht të nevojshme për ju apo familjarët tuaj.
Një pjesë e konsiderueshme e linjave të fluturimit, i kanë anuluar fluturimet për në aeroportin e Rinasit.
Një numër vendesh kanë ndaluar dhe kalimin transit përmes aeroporteve të tyre.”- thuhet në njoftim.
Sa i përket shërbimeve konsullore të nevojshme apo të emergjencës për të cilat qytetarët dëshirojnë të aplikojnë, MEPJ informon se qytetarët duhet të drejtohen në platformën e shërbimeve konsullore online në faqen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme klikoni në linkun: https://punetejashtme.gov.al/sherbimet-konsullore-online/ dhe në Portalin Qeveritar e-Albania në linkun: https://e-albania.al/Default.aspx
Ndërkohë u bëhet thirrje qytetarëve shqiptarë që ndodhen jashtë terriitorit të Republikës së Shqipërisë, të kontaktojnë pa hezitim me Përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë në vendin ku ndodhen, në numrat e tyre të emergjencës.