Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që deri në fund të kësaj jave të heqë taksën ndaj mallrave serbe si dhe të anulojë vendimin për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu.
Mustafa thekson se shkarkimi i Veliut është shkelje e marrëveshjes së koalicionit duke qenë se nuk është konsultuar nga kryeministri për vendimin e marrë.
‘Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit.
Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së. Kërkoj nga Kryeministri ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe çojnë në prishje të koalicionit’, shkruan Mustafa në Facebook.