Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka deklaruar se mësimi do të rifillojë në datën 23 mars dhe se për momentin nuk po mendohet që të ketë shtyrje të kësaj date. Por shton se nëse do të jetë e nevojshme, edhe kjo do të bëhet.
“Një vendim që nuk është marrë ende, por nëse merret, ne do të jemi të gatshëm që mësuesit t’i orientojmë drejt një vlerësimi që mund të bëhet përmes rrjeteve sociale, i cili do t’i mundësojë mësuesve të vlerësojnë nxënësit e njohuritë e tyre që kanë arritur deri në këtë pikë dhe të mund të vijojnë pastaj mësimin e zakonshëm pas kthimit në shkollë. Por, kjo është diçka që do t’ju informojmë më shumë ditët në vijim kur të marrim vesh nëse do ta kemi të nevojshme ta shtyjmë procesin e mësimit nga shtëpia përtej datës 23 mars.”– shprehet ajo.
Në fund të mesazhit të saj, ministrja Shahini u bën thirrje mësuesve dhe prindërve që të punojnë përmes rrjeteve sociale por edhe ti dërgojnë modelet e ndjekura deri tani. Kjo që ato të shërbejnë si shembuj, në rast të shtyrjes së datës së nisjes së mësimit në shkolla.
“Duam që të na sillni modelet e punës suaj në mënyrë që të krijojmë një udhëzues për të gjithë mësuesit me format më të mira dhe më praktike të punës mes mësuesve dhe nxënësve.
Disa mësues tashmë kanë komunikuar me neve dhe na kanë sjellë modelet që ata kanë përdorur. Kanë qenë shumë të vlefshme, i kemi ndarë me mësuesit e tjerë, por menduam dhe besojmë që do të ketë më shumë modele se sa këto që na kanë sjellë deri tani. Kështu që, ju bëjmë thirrje të na sillni sa më shumë nga modelet tuaja të punës që në rast se kemi nevojë ta zgjasim procesin e mësimit nga shtëpia të kemi sa më shumë shembuj praktikë për mësuesit dhe për nxënësit që të vijojë mësimi sa më normalisht që është e mundur” – përfundon ministrja.
Sipas Shahinit, rreth 80% e nxënësve janë tashmë në kontakt direkt me mësuesit e tyre, ndërsa apelon për mësuesit që nuk kanë rënë ende në komunikim direkt me nxënësit e tyre, që ta bëjnë sa më parë, në mënyrë që edhe ky grup i vogël nxënësish të mos mbetet mbrapa me mësime.