Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen pas 1 viti vëllezërit Çala, të kërkuar për grabitjen në Rinas


Arrestohen pas 1 viti në kërkim vëllezërit Klement dhe Eldi Çala të cilët akuzohen për grabitjen në Rinas në prill të vitit të kaluar ku u morën rreth 6 milionë euro.

Në një operacion ku morën pjesë 300 forcave policore, vëllezërit Çala u prangosën në një banesë që kishin marrë me qira në zonën e Qerretit në Kavajë.

“Megaoperacion për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore ne fushën e vjedhjeve me armë.

Operacioni, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, njësia speciale FAST Albania, RENEA dhe Drejtoritë Vendore te Policisë Durrës, Tiranë e Elbasan.

Në operacion janë përfshirë 300 forca policore.

Sekuestrohen armë zjarri, sasi të mëdha vlerash monetare dhe automjete.

Arrestohen vëllezërit Klement dhe Eldi Çala.

Vëllezërit, të akuzuar për një sërë grabitjesh më armë dhe dhunë në zonën e Rinasit dhe në aeroportin e Rinasit.

Për detaje të mëtejshme të operacionit do t’ju njoftojmë në përfundim të operacionit.”- thuhet në njoftimin paraprak të policisë.

Dy vëllezërit akuzohen për dy grabitje, njëra në rrugën e Rinasit në vitin 2017 e tjetra në barkun e avionit në prill të 2019-ës. Klement Çala rezulton se kishte lidhje të hershme me Admir Muratajn, personin që mbeti i vrarë gjatë grabitjes, pasi të dy kanë qenë të akuzuar nga Greqia për grabitjen e 1 milionë eurove  të Bankës Kombëtare Greke në qendër të qytetit të Larisës dhe janë shpallur në kërkim që prej vitit 2013.

Çala është ndër pjesëtarët e grupit të Ilir Kupës që u arratisën nga burgu i Trikallës në Greqi më 22 mars 2013 dhe së bashku me Admir Muratajn u fshehën në Shqipëri. Ai ishte identifikuar edhe si autor i plagosjes së një efektivi të policisë greke dhe vrasjes së një qytetareje të pafajshme gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat e policisë. 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *