Prokuroria e Përgjithshme, ka shpërndarë udhëzimet për prokuroritë në vend lidhur me masat proceduriale që duhet të ndjekin ato ldihur me situatën e krijuar në vend nga koronavorusi.
Sipas njoftimit me disa pika, prokuroritë këshillohen që të bëjnë kujdes me masat e sigurisë që do kërkojnë ndaj të akuzuarve për vepra të ndryshme penale.
Gjithashtu këshillohen që në rastet kur ekziston mundësia e shtyrjes së dënimit apo e dhënies së dënimeve alternative, të zbatohet.
Udhëzimi
Masat procedurale sipas fazave të procedimit penal
Drejtuesit e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, vlerësojnë gjendjen, problematikën dhe nevojat e marrjes së masave procedurale në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale në njësitë administrative që mbulon prokuroria që ai/ajo drejton, si dhe në zbatim të kompetencave të parashikuara në ligj vendosin marrjen e masave procedurale për bërjen kujdes sipas fazave të procedimit penal, siç mund të jenë:
- Në fazën e hetimeve paraprake, vlerësimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, në zbatim të kushteve dhe kritereve ligjore që garantojnë sigurinë e nevojshme personale të personit të arrestuar në flagrancë apo ndaluar ose të personit nën hetim, dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri.
- Në fazën e diskutimeve përfundimtare në gjykimet e themelit vlerësimin, nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore për të kërkuar caktimin e dënimeve alternative të dënimit me burgim dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri.
- Në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale të formës së prerë, vlerësimin, nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjor për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri;
nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore për vuajtjen e dënimit të mbetur me qëndrim në shtëpi dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri.
Në zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen drejtuesit e Prokurorive.