Pas 1 viti në kërkim, policia arrestoi sot vëllezërit Klement dhe Eldi Çala të cilët akuzohen për grabitjen në Rinas në prill të vitit të kaluar ku u morën rreth 6 milionë euro.
Personi në foton e mësipërme është Klement Çala, i akuzuari i 7-të si pjesë e bandës së grabitësve. Nga dy vëllezërit, emri i Klementit është edhe më i përfoluri në media për shkak të problemeve të tij me drejtësinë prej vitesh me radhë.
Klement Çala rezulton se kishte lidhje të hershme me Admir Muratajn, personin që mbeti i vrarë gjatë grabitjes, pasi të dy kanë qenë të akuzuar nga Greqia për grabitjen e 1 milionë eurove të Bankës Kombëtare Greke në qendër të qytetit të Larisës dhe janë shpallur në kërkim që prej vitit 2013.
Çala është ndër pjesëtarët e grupit të Ilir Kupës që u arratisën nga burgu i Trikallës në Greqi më 22 mars 2013 dhe së bashku me Admir Muratajn u fshehën në Shqipëri. Ai ishte identifikuar edhe si autor i plagosjes së një efektivi të policisë greke dhe vrasjes së një qytetareje të pafajshme gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat e policisë.
Ai ishte arrestuar më parë në Vlorë në vitin 2015, por është liruar nga gjykata me gjithë akuzat e ngritura ndaj tij.
Çala u arrestua më 29 qershor 2015, ndërsa ishte duke drejtuar një automjet tip “Benz” me targë, AA 447 KO. Ai braktisi mjetin dhe tentoi të largohej me vrap, por u ndalua nga efektivët e policisë.
Ai u prezantua si shtetas kosovar me identitetin Semir Koca, i cili dispononte një pasaportë dhe një ID, me të njëjtin emër.
Përpos këtyre, Klement Cala akuzohet për dy grabitje në Rinas, atë të vitit 2017 në rrugën e Rinasit e tjetra në barkun e avionit në prill të 2019-ës.
Një nga detajet e automjetit që arriti të thyente sigurinë e aeroportit, ishte se mbante mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Detaj që solli mjaft debate, e që solli në piketimin e dy vëllezërve si persona të dyshuar për grabitjen.
Pronari i servisit ku u modifikua automjeti me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, tha se ia kishte lënë atë me qira Eldi Çalës, vëllai i Klement Çalës.