Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përgatitur mocionin për rrëzim të qeverisë në krye me Albin Kurtin. Tashmë, u duhet vetëm që t’i sigurojnë 61 vota të deputetëve, shkruan Gazeta Express.
Mirëpo, partia e Isa Mustafës me anë të këtij mocioni nuk është duke tentuar vetëm rrëzimin e qeverisë Kurti nga pushteti ku janë edhe vet, sepse në arsyetimin e tyre kanë propozuar që të formojnë një qeveri të re të stabilitetit.
Kjo sipas Lidhjes Demokratike, me arsyetimin se Kosova gjendet në një situatë emergjente.
“Duke ritheksuar problematikën e rëndësisë strategjike – veçanërisht në kontekstin aktual – të partneritetit me SHBA-të dhe BE-në drejt integrimeve euro-atlantike, si dhe sigurisë kombëtare, në situatën emergjente në të cilën ndodhemi, ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që përmes votës së mosbesimit të votojnë këtë mocion. Me këtë veprim, Kuvendi krijon mundësinë e formimit të një qeverie të stabilitetit, me kohëzgjatje të kufizuar, e cila do të adresonte sfidat imediate me të cilat ballafaqohet vendi, si në pozicionin e politikës së jashtme, ashtu edhe në dinamikat e krijuar brenda vendit”- shkruhet në dokument.