Vendosni fjalën kyçe....

Sa gjasa keni të vdisni nga virusi Covid- 19?


Me shkallët e vdekshmërisë nga koronavirusi që ndryshojnë nga një vend në tjetër në të gjithë globin, mund të pyesni veten për shanset që ju keni për të mbijetuar nëse infektoheni.

Nuk ka përgjigje të thjeshta, por ka disa gjëra që ju vënë në rrezik më të madh.

Nuk është për t’u habitur që njerëzit janë të hutuar se sa vdekjeprurës është virusi, duke pasur parasysh shifrat e ndryshme dhe informacionet konfliktuale që po qarkullojnë.

Në fillim të marsit, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) raportoi një normë globale të vdekjeve prej 3.4 %. Megjithatë, Italia e cila tanimë është kthyer në epiqendrën e pandemisë në Europë, ka raportuar një vdekshmëri mbi 7 %. Ndërkohë, shkalla e vdekjes në Spanjë po qëndron më afër vlerësimit të OBSH-së në 3.1 %, e në disa vende, është shumë më e ulët.

Ekzistojnë shumë spekulime në lidhje me arsyet e ndryshimeve të mëdha nga vendi në vend, por një mënyrë më e mirë për të vlerësuar shanset e rikuperimit është të vëreni disa faktorë të tjerë të rrezikut personal.

Në çfarë moshe jeni?

Në këtë fazë, sa më i vjetër të jeni, aq më keq duken statistikat. Me shifrat që ndryshojnë çdo orë, ka kuptim të shikojmë shifrat e fundit nga Kina, e cila ka pasur përvojën më të madhe me virusin dhe që më në fund ka arritur ta përmbajë atë.

Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ÇDC) raportoi një normë vdekjeje prej 14.8% për pacientët mbi 80 vjeç dhe 8% për pacientët në të 70-tat e tyre.

Kjo normë bie në 3.6% për njerëzit në të 60-at e tyre dhe 1.3 % për grupmoshën 50-59 vjeç. Për fat të mirë, shkalla e vdekjes për të gjithë nën moshën 49 vjeç ishte nën 0.5%. Kështu është e qartë, mosha është një nga faktorët më kryesorë që duhet marrë në konsideratë.

Problemet e mëparshme shëndetësore, pini duhan?

Një tjetër gjë e sigurtë është se njerëzit me kushte themelore mjekësore janë gjithashtu në kategoritë e rrezikut më të lartë.

Studimi i ÇDC zbuloi një normë vdekjeje prej 10.5 % për ata që kishin sëmundje kardiovaskulare dhe një shkallë vdekshmërie prej 7,3% për ata me diabet. Sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe hipertensioni kishin një normë vdekjeje rreth 6 %, ndërsa shkalla e vdekjes për pacientët me kancer ishte 5.6 %.

Nëse jeni në ndonjë nga këto kategori, mund të jetë koha të filloni “distancimin shoqëror” ose “vetë-karantinimin” që të jeni të sigurt.

Jeni burrë?

Ekzistojnë disa lajme të këqija në statistikat kineze për burrat, pasi shkalla e vdekshmërisë nga Covid-19 ishte më e lartë për burrat. Rreth 2.8% për burrat e 1.7 % për gratë. Burrat gjithashtu kishin pak më shumë gjasa të infektohen në krahasim me gratë, duke përbërë 51% të numrit të përgjithshëm të rasteve.

Ekspertët nuk janë saktësisht të sigurt pse ndodh kjo, por ka shumë teori. Njëra është se burrat përgjithësisht pinë duhan më shumë sesa gratë (veçanërisht në Kinë). Një teori tjetër është që gratë kanë sistem imuniteti më të fortë për foshnjat gjatë shtatëzanisë. Fakti që burrat gjithashtu kanë më shumë të gjasa të kenë sëmundje të rrezikut të lartë mund të jetë gjithashtu një faktor.

Ku jetoni?

Kjo është e ndërlikuar. Siç e dimë, shkalla e vdekjeve ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme në të gjithë botën dhe numrat më shqetësues vijnë nga Italia, e cila ka shënuar një përqindje fataliteti prej 7 %.

Por kjo nuk do të thotë se italianët në mënyrë specifike janë disi më të prekshëm ose kanë më sbhumë gjasa të vdesin nga koronavirusi.

Disa kanë spekuluar se shkalla e lartë e Italisë vjen për shkak të popullsisë së plakur të vendit, por mosha mesatare e gjermanëve është më e lartë se në Itali dhe Gjermania ka regjistruar një shkallë vdekshmërie prej 0.2 % deri më tani. Po ashtu, teoria se niveli i lartë i vdekjeve është i lidhur me përhapjen e lartë të pirjes së duhanit në Itali nuk ka kuptim këtu, pasi Kina dhe Koreja e Jugut kanë shkallë më të lartë të pirjes së duhanit.

Shumë ekspertë kanë paralajmëruar se Italia dështoi të ndërmarrë veprime që në fillim (duke kërkuar “masa për distancimin shoqëror”, anulimin e ngjarjeve publike masive, etj.), gjë që çoi në një numër të lartë të pacientëve papritmas duke tronditur sistemin shëndetësor.

Në fund të fundit, numrat këtu mund të jenë më tregues sesi një vend vepron për të përmirësuar virusin më shumë se gjithçka tjetër.

Shkalla e vërtetë e vdekshmërisë: 7%, 3.4%, apo shumë më e ulët?

Kur të përfundojë më e keqja e krizës, niveli i vërtetë i përgjithshëm i vdekjeve do të jetë potencialisht më i ulët se ai i raportuar. Kjo pasi shumë njerëz do të infektohen, por do të mbesin asimptomatikë ose do të shfaqin vetëm simptoma të buta dhe nuk do të testohen kurrë.

Në të vërtetë, Jeremy Samuel Faust, një mjek në Spitalin e grave të Brigam shkroi se nivelet e frikshme të vdekshmërisë “nuk ka gjasa të qëndrojnë” me kalimin e kohës dhe se shkalla e vërtetë e vdekshmërisë “ka të ngjarë të jetë shumë më e ulët sesa sugjerojnë raportet aktuale”.

Sidoqoftë, përvoja e Italisë sugjeron që mos kontrolli i përhapjes së hershme të virusit, mund të çojë në nivele të panevojshme të larta fataliteti në disa vende.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e RT/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *