Turqia ka konfirmuar viktimën e dytë nga koronavirusi.
“Ne kemi humbur një pacient mashkull, 61 vjeç. Unë uroj që Allahu të jetë i mëshirshëm me të” – shkroi ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca në një postim.
Anadoly Agency shkruan se ai konfirmoi dhe 93 raste të reja me Covid-19, duke e rritur në 191 numrin e të prekurve në vend.
Ministri i shëndetësisë përsëriti se masat parandaluese për të shmangur përhapjen e mëtejshme të pandemisë, siç janë qëndrimi në shtëpi dhe shmangia e tubimeve publike, duhet të merren seriozisht.
“Testet e përfunduara sot tregojnë se masat janë të detyrueshme”- tha Koca.
Virusi u shfaq dhjetorin e kaluar në qytetin e Wuhan-it, në Kinë, dhe është përhapur në të paktën 164 vende dhe territore në mbarë globin.
OBSH e ka deklaruar shpërthimin një pandemi dhe të dhënat tregojnë se ka mbi 194,000 raste të konfirmuara dhe afro 7,900 vdekje në të gjithë botën, deri në mbrëmjen e të mërkurës.
COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri, nuk është fatale në të gjitha rastet dhe një shumicë e madhe e pacientëve shërohen plotësisht.