Vendosni fjalën kyçe....

Besa Shahini ka një porosi për mësuesit e TIK-ut: Krijoni tutoriale


Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka dalë sot me një mesazh tjetër informues për mësuesit dhe nxënësit lidhur me zhvillimin e  mësimit online.

Shahini u bën thirrje mësuesve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) që ata të krijojnë tutoriale për mënyrën e përdorimit të platformave falas për krijimin e klasave virtuale.

“Janë dy platforma, të cilat janë falas në dispozicion për të krijuar klasa virtuale. Është Google Classroom dhe Zoom, të cilin mësuesit ndoshta do të donin t’i vinin sa më shumë në funksion për të krijuar tamam klasë, pra jo që të bëhet komunikim një me një me nxënësit, por që të jenë të gjithë në platformë në të njëjtën kohë. Unë do të doja që mësuesit e TIK-ut të krijojnë tutoriale – pra video të shkurtra për mënyrën se si përdoren këto dy platforma, por në gjuhën shqipe sepse në gjuhën angleze ka pafund në Youtube në mënyrë që t’i ndajmë me mësuesit dhe sa më shumë mësues të kenë mundësi t’i përdorin këto dy platforma të cilat janë në dispozicion pa pagesë”, tha Shahini.

Ministrja tha se tanimë janë përfunduar edhe udhëzuesit për mësuesit me qëllim vlerësimin e njohurive të nxënësve gjatë kësaj periudhe që mësimi po zhvillohet në kushtet e shtëpisë. Ajo tha se ky udhëzues do u vihet në dispozicion mësuesve dhe nxënësve.

 “Janë vlerësime të thjeshta që mund të kryhen përmes rrjeteve sociale apo përmes e-mailit, dhe masin vetëm njohuritë bazë që nxënësi i ka ndërtuar gjatë kësaj kohe. Ky udhëzues u vihet në dispozicion të gjithë mësuesve, por natyrisht do ta postoj edhe te faqja ime në facebook, që të kenë qasje edhe prindërit e nxënësit dhe të gjithë bashkë të shohim se si do të realizohet ky vlerësim”, – shprehet Shahini.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *