Vendosni fjalën kyçe....

Meta nxjerr videon prekëse: Bilanci më tragjik, Italia do ta kalojë me kurajo


Presidenti i vendit Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për shkak të humbjeve të jetëve që ka pësuar Italia nga koronavirusi, mbi të gjitha në 24 orët e fundit.

Meta thotë se dita e djeshme shënoi një tjetër bilanc tragjik, ndërsa i uron shërim të shpejtë të gjithë të sëmurëve. Ai shprehet i bindur se Italia do ta kalojë këtë krizë dhe gjithçka do të shkojë mirë.

Presidenti ka publikuar edhe një video të disa avionëve që formojnë ngjyrat e flamurit të Italisë mbi det.

“Dita e djeshme shënoi një tjetër bilanc tragjik për Italinë tonë të dashur.
Në këto momente tepër të vështira, lutjet dhe mendimet tona shkojnë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, të cilave ju shpreh të gjithë solidaritetin e popullit shqiptar.
Me urimin për shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit nga kjo pandemi, dhe shëndet të plotë për mbarë popullin italian, i cili me kulturën dhe civilizimin e tij i ka frymëzuar të gjithë kombet për progres shoqëror, shpreh bindjen se nën drejtimin e udhëheqësve të saj, Italia do ta kalojë këtë krizë të rëndë për të, por edhe për ne, dhe Europën!
Me vëmendje dhe shqetësim të veçantë jam duke ndjekur çdo ditë edhe situatën në bashkësitë tona të dashura arbëreshe duke u interesuar për shëndetin e tyre, si edhe të qindra mijra shqiptarëve, të cilët jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë prej vitesh në Itali, së bashku me familjet e tyre.
Një mirënjohje dua të shpreh për të gjithë mjekët dhe personelin shqiptar të integruar në sistemin shëndetësor italian, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe sakrifica të pashembullta po bëjnë çdo gjë për të ndihmuar qytetarët e këtij vendi kaq të rëndësishëm për kombin shqiptar.
Ne u jemi thellësisht falenderues, pasi angazhimi i tyre fisnik dhe njerëzor bëhet, jo vetëm në emër të humanizmit, por edhe të mirënjohjes së mbarë popullit shqiptar, i cili sa herë ka përjetuar tragjedi dhe kriza të mëdha, ndihmën dhe mbështetjen e parë e ka gjetur te Italia dhe populli i saj bujar dhe i mrekullueshëm.
Kam besimin e palëkundur se Italia jonë e dashur do ta kalojë me kurajo e vendosmëri këtë krizë të rëndë.
#AndràTuttoBene”– shkruan presidenti.


Ditën e djeshme Italia përjetoi bilancin më të rëndë të viktimave nga koronavirusi. Vetëm 24 orët e fundit numri i viktimave është rritur me 627 persona, numri më i lartë deri tani, duke e çuar numrin e përgjithshëm në Itali në 4032. Ndërkohë numri i të prekurve është rritur në 47.021.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *