Vendosni fjalën kyçe....

Policia bën kërdinë me gjoba, e pësojnë 190 këmbësorë dhe 98 shoferë


Policia e Shtetit ka bërë kërdinë me gjoba ndaj qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar masat e qeverisë për frenimin e përhapjes së koronavirusit në vend.

190 qytetarë të cilët janë kapur me biçikleta ose duke shëtitur në këmbë dhe nuk kanë patur një arsye të fortë përse kanë dalë nga banesat, janë gjobitur me 10 mijë lekë të reja.

Po ashtu u është hequr patenta 98 drejtuesve të cilët kanë qarkulluar me mjetin e tyre pa leje, e ndërsa është arrestuar dhe një prej tyre. Bëhet fjalë për një burrë nga Kavaja i cili kishte dalë duke drejtuar automjetin dhe në gjendje të dehur.

“Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 98 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, si dhe është arrestuar në Kavajë shtetasi K. A., 27 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Gjatë 24 orëve të fundit, nuk zbatuan urdhrin e dhënë për qëndrimin në banesë në oraret kufizuese, 190 shtetas, të cilët qarkullonin me biçikleta apo në këmbë, në oraret e ndaluara, pa ndonjë shkak apo arsye dhe për këtë u ndëshkuan me masën administrative 10.000 lekë, ndërsa 2 prej tyre, në Shkodër, janë proceduar në gjendje të lirë, për kundërshtim të punonjësit të Policisë.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.”- thuhet në njoftimin e policisë.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *