Kryeministri Rama postoi para tre orësh një video ku shfaqeshin policë me shkopinj që godisnin qytetarët rrugëve.
Kreu i qeverisë shkruante se pamjet ishin marrë nga Spanja dhe kishin të bënin me masat e marra nga qeveria për kufizimi e lëvizjeve lidhur me Covid-19.
Por pamjet në fakt nuk ishin marrë nga Spanja por Algjeria dhe për këtë reagoi edhe ambasada spanjolle në Tiranë.
‘Megjithëse Ambasada e Spanjës është krejtësisht dakord me rekomandimet e Kryeministrit mbi nevojat e respektimit të masave kufizuese për të mirën e shëndetit të të gjithëve, më vjen shumë keq që janë shpërndarë disa imazhe që nuk kanë të bëjnë fare me Spanjën’, komentonte faqja e ambasadës.
Pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale dhe nga opozita, kreu i qeverisë e ka pranuar gabimin me videon duke kërkuar ndjesë për gabimin.
Rama shkruan se pavarësisht gabimit me pamjet nuk ka ndërmend ta heqë videon dhe se i qëndron mesazhit të publikuar pak orë më parë.
‘Videon e postuar diku më parë, ku shkruhet se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”! E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit. Tani marr vesh që qenkan pamje nga Algjeria! Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme, që paska frymëzuar edhe një deklaratë gjithë akuza e budallallëqe të Partisë Demokratike! Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital”. Të gabosh është njerëzore, po rëndësi ka të mos bësh gabime të qëllimshme dhe të kërkosh ndjesë kur gabon! Por, duke qenë se as “qytetari” në fjalë, as unë dhe as shumica dërrmuese e juaja që ka komentuar pozitivisht në atë postim, nuk kemi pasur hallin e vendit të ngjarjes, po kemi hallin e madh të nevojës për reagimin e domosdoshëm me zero tolerancë kundër atyre që na rrezikojnë të gjithëve, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, postimi nuk do të lëvizë nga vendi (natyrisht duke hequr fjalën Spanjë) dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% pa asnjë diskutim!’ – shkruan Rama.