Vendosni fjalën kyçe....

Vdesin nga koronavirusi 4 persona të së njëjtës familje në New Jersey


Katër persona të së njëjtës familje kanë vdekur nga koronavirusi në shtetin amerikan të Neë Jersey-t, ndërsa tre të afërm të tjerë janë shtruar në spital.

Grace Fusco, 73 vjeç dhe gjashtë fëmijët e saj të rritur u sëmurën pasi morën pjesë në një mbledhje të madhe familjare.

BBC shkruan se afro 20 të afërm të tjerë tani janë vetë-karantinuar dhe janë në pritje për të zbuluar nëse ata janë infektuar gjithashtu apo jo.

Numri i të vdekurve në SHBA ka vazhduar të rritet, ndërsa ekspertët paralajmërojnë qytetarët kundër çdo lloj tubimi shoqëror.

Katër anëtarët e familjes që vdiqën janë Grace Fusco dhe fëmijët e saj Rita Fusco-Jackson, Carmine Fusco dhe Vincent Fusco.

Rita Fusco-Jackson, e cila është një mësuese e shkollës katolike, 55 vjeç, u nda nga jeta të premten e javës së kaluar. Ajo nuk kishte probleme të mëparshme shëndetësore.

Zyrtarët shëndetësorë në New Jersey thanë që zonja Fusco-Jackson ishte personi i dytë që vdiq nga Covid-19 në këtë shtet.

Ndërsa Carmine Fusco u nda nga jeta të mërkurën, e ndjekur disa orë më vonë nga nëna e tij, Grace Fusco. Sipas New York Times, kjo e fundit vdiq pa e ditur se dy fëmijët e saj tashmë i ishin dorëzuar sëmundjes dhe kishin ndërruar jetë. Të enjten, Vincent Fusco vdiq në të njëjtin spital, ku mamaja e tij kishte qëndruar.

Një anëtare e familjes, Paradiso Fodera, tha që 19 të afërm që morën pjesë në të njëjtën darkë tani janë izoluar, dhe prej gati një jave po presin për të mësuar rezultatet e testeve të tyre. Ajo shpreh shqetësim se përse ata nuk janë testuar akoma.

“Pse anëtarët e familjes që nuk janë shtruar në spital nuk kanë rezultatet e testit? Kjo është një krizë e shëndetit publik. Pse duhet që atletëve dhe personave të famshëm pa simptoma t’u jepet përparësi ndaj një familje që është shkatërruar nga ky virus?”– tha zonja Fodera për CNN.

Ajo vazhdoi: “Kjo është një tragjedi e padurueshme për familjen”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *