Hynë në fuqi ndryshimet në buxhetin e vitit 2020, të përshtatura për të përballuar emergjencën që krijoi pandemia Covid 19.
Ndryshimet që u botuan në Fletoren Zyrtare (kliko këtu), tregojnë për një shkurtim të të ardhurave në nivelin 20 miliardë lekë (162 milionë euro) ose 3.9 përqind e të ardhurave totale.
Plani i të ardhurave është shkurtuar për të ardhurat tatimore ku priten arkëtime më të ulëta nga tatimet kryesore. Plani i të ardhurave nga TVSH-ja ulet me 9 miliardë lekë. Në total do të grumbullohen 142 miliardë lekë nga 151 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e vitit 2020.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin do të ulen me 10 për qind. Me ndryshimet e fundit pritet të grumbullohen 34 miliardë lekë nga 38 miliardë lekë që ishin planifikuar.
Të ardhurat nga akcizat do të jenë 3.5 miliardë lekë më pak, duke shënuar nivelin e 47 miliardë lekëve nga 50 miliardë lekë të planifikuara me një ulje 7%.
Të ardhurat nga Tatimi mbi të ardhurat personale gjithashtu ulen me 3 miliardë lekë.
Shpenzimet rriten me 9 miliardë lekë
Totali i shpenzimeve buxhetore rritet me 9 miliardë, duke arritur në 558 miliardë lekë nga 549 miliardë lekë të planifikuara në fillim vit. Nga kjo rritje, 1,2 miliardë lekë shkon për shpenzime korente kryesisht për sektorin e shëndetësisë, për pagesën e interesave 500 milionë lekë, për fondet speciale 1,2 miliardë lekë. Ndërsa shpenzimet kapitale u ulën me mbi 800 milionë lekë.
Deficiti, dyfishohet
Deficiti buxhetor u dyfishua duke arritur vlerën e -68 miliardë lekëve nga -39,6 miliardë lekë që ishte planifikuar në fillim të vitit, duke arritur në 3.9 për qind të PBB-së.
Autorizohet blerja e materialeve për Covid, 346 milionë lekë
Këshilli i Ministrave ka autorizuar procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit” me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe eshtë autorizuar miratimi i kontratës me objekt “Blerje materiale për mbrojtjen personale (MMP) për COVID -19”, me palë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe bashkimin e operatorëve, shoqëria “Farma Net Albania”, sh.p.k. dhe shoqëria “Euromed”, sh.p.k., me vlerë 346 105 800 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tetëqind) lekë me TVSH, të zhvilluar me procedurën e drejtpërdrejtë me fond limit 307 864 333 (treqind e shtatë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH.
Mbrojtja sociale – 46 milionë lekë
Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrimi”, i shtohet fondi prej 46 105 800 (dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tëtëqind) lekësh, për marrjen e masave për plotësimin e nevojave paraprake për përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID -2019, në kategorinë e shpenzimeve korrente. Efekti financiar, prej 46 105 800 (dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tëtëqind) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al