Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një video nga banesa e tij në Surrel, nga ku shprehet se qeveria i ka ardhur në ndihmë me ushqime bazë dhe medikamente më shumë se 14 mijë familjeve.
“Policia e Shtetit informon se sot nuk ka patur deri tani asnjë këmbë njeriu, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Natyrisht asnjë përveç forcave të rendit dhe ushtrisë janë në ndihmë për të gjithë ata që kanë nevojë. Mirënjohje për të gjithë ju që brenda shtëpisë po e pengoni përparimin e armikut dhe po jepni një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë luftë. Dua t’ju informoj se deri dje kemi mundur të ndihmojmë drejtpërdrejt 14 mijë e 428 familje. 11 mijë e 89 prej tyre me uhsime, 1 mijë e 302 prej tyre me ndihmë mjekësore, barna, asistencë mjekësore, si dhe 2 mijë e 136 për nevoja të tjera.
Do të vazhdojmë pa pushim përditë të trokasim në dyert e pensionistëve të vetmuar, e familjeve me probleme të mëdha ekonomike, në familjet e prekura nga tërmeti që të mos u mungojë ushqimi bazë dhe medikamentet shëndetësore.”– tha Rama.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama bëri edhe komente për kritikët e tij, ndërsa paralajmëron se policia nuk do të tolerojë askënd që do të dalë në rrugë duke thyer masat e vendosura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Shohin videot informative nga operacioni humanitar dhe flasin për shou. Po çfarë shou mo ju marrtë e mira, ju marrtë. Flasin për vjedhje. Po ku e patë o ju marrtë e mira. Flasin për popullin që po vdes për bukë. Po për cilin popull kur vetë janë në shtëpi dhe flasin me I-phone. Flisni për mua sa të doni por respektoni ata që po shkojnë shtëpi në shtëpi.
Ne po bëjmë gjithçka dimë dhe mundemi. Nuk duam as lëvdata dhe medalje, pasi kjo është detyra jonë. Në këto kohë të mallkuara duhet respekt dhe mirënjohje.
Nesër në 5 të mëngjesit do të rihapet qarkullimi për ata që shkojnë në punë dhe deri në orën 13 të drekës do të kenë plot 8 orë për të bërë pazar. Këto orare janë të imponuara nga nevoja për përballimin e një lufte të madhe.
Nesër e më tej forcat e rendit nuk do të tolerojë askënd që nuk e kupton që radha nëpër dyqane dhe xhirot nëpër rrugë janë të paligjshme dhe të patolerueshme.
Të gjithë duhet të adoptohemi me orarin e ri në këtë situatë dinamike.”- vijon Rama.