Numri i të infektuarve me virusin Covid-19 në të gjithë botën ka shkuar në mbi 300,000. Sipas të dhënave të fundit të Universitetit Johns Hopkins, nga koronavirusi kanë humbur jetën 13,000 njerëz në të gjithë botën ndërsa janë shëruar 92,000.
Washington Post shkruan se deri të dielën në mëngjes, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numri i të infektuar ka shkuar në më shumë se 25,000.
Infeksione dhe viktima të reja po shtohen në të gjithë Evropën. Italia po eklipson Kinën si epiqendra globale e koronavirusit, duke raportuar më shumë se 4,800 vdekje, më shumë se çdo vend tjetër.
Sporti dhe aktiviteti fizik jashtë janë të ndaluara në rajonin më të goditur të Italisë, në Lombardi.
Qeveritë në të gjithë botën kanë forcuar më tej kufizimet e udhëtimit dhe urdhëruan karantina gjithëpërfshirëse për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
BBC shkruan se Australia do të mbyllë baret, klubet, kinematë, kazinotë, klubet e natës dhe vendet e adhurimit. Ndërsa britanikët paralajmërohen se përhapja e virusit po “përshpejtohet” dhe ata duhet të shmangin kontaktin social.