Vendosni fjalën kyçe....

“Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, të mbyllen call center-at dhe fasoneritë”-Basha 3 propozime të reja situatën e koronavirusit


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë tre propozime të reja për qeverinë në lidhje me menaxhimin e situatës së krijuar nga koronavirusi pas rritjes edhe të numrit të të infektuarve.

Basha ka kërkuar shpalljen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin, mbylljen e call-center-ave dhe fasonerive.

Masa e dytë e propozuar nga Basha është edhe hartimi i një plani masash për mënyrën e operimit të bizneseve.

Së treti, nga kryedemokrati ka kërkuar edhe marrjen e masave për t’i garantuar kushtet jetike për të gjithë qytetarët.

Postimi i plotë:

Shifrat e të prekurve nga COVID 19 po rriten. Prandaj shtohet nevoja për të ndërmarrë një plan të detajuar masash për parandalimin e përhapjes së shpejtë të virusit. Pa u bërë tepër vonë duhet vepruar për ti dalë të keqes përpara.

Duhen marrë masa të menjëhershme:

  1. Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të mbyllen call centers, fasoneritë dhe sipërmarrjet e tjera me numër të madh punonjësish në një hapësirë të mbyllur që kanë probabilitet të lartë për të përhapur virusin.
  2. Të hartohet një plan masash i detajuar dhe me afate të mirëpërcaktuara për mënyrën e operimit të bizneseve që janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve.
  3. Marrjen e masave të menjëhershme diktuar nga gjendja e jashtëzakonshme për të garantuar kushtet jetike për të gjithë qytetarët që për shkak të pamundësisë për të punuar nuk përballojnë nevojat e përditshme.

Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë të vështirë. Qytetarët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi ndërsa qeveria duhet t’u japë siguri për të përballuar jetesën e tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *