Rrugët e kryeqytetit kanë qenë plotësisht të boshatisura gjatë mbrëmjes së kaluar, si kurrë më parë. Kjo për shkak të vendimit të qeverisë për të ndaluar daljen nga banesat pas orës 13:00 të ditës së djeshme.
Në rrugë lejoheshin të qarkullonin vetëm forcat e policisë dhe ato të ushtrisë.
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga rrugët e Tiranës bosh, ndërsa u bën apel qytetarëve qëe të zbatojnë rregullat për kufizimin e përhapjes së koronavirusit dhe të mos lëvizin.
“Në të gjitha rrugët e Tiranës e Kamzës. Punonjësit e Policisë së Shtetit në patrullim për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë , si dhe për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të masave kufizuese.
Pika kontrolli nga shërbimet e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, për zbatimin e masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Respektoni rregullat e kufizimit të qarkullimit me automjete, biçikleta e motomjete. Respektoni kufizimin e lëvizjes në këmbë, qëndroni në banesë deri të hënën në mëngjes, por edhe më mbrapa respektoni , respektoni , respektoni oraret kufizuese dhe zbatoni këshillat për higjenën. Ruani largësinë në makete, minimarkete e furra buke, por edhe në rrugë. Të mbrojmë njëri -tjetrin, të mbrojmë jetën.
Durim e kontribut nga gjithsecili dhe do ja dalim”– thuhet në njoftimin e policisë.