Vendosni fjalën kyçe....

Albana Vokshi: Qeveria të ndryshojë strategji, të testohet çdo i dyshuar me Covid-19


Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka shprehur ngushëllime për familjarët e 43-vjeçarit nga Kavaja që ndërroi jetë mëngjesin e sotëm ndërsa ka një apel për qeverinë.

Vokshi i ka kërkuar qeverisë të mos i mohojë testimin të prekurve me Covid-19, duke i bërë thirrje që të tregohet transparente lidhur me testimet që janë bërë për koronavirus, për tamponët që janë në gjendje dhe nëse janë porositur të reja, për numrin e shtretërve në spitale dhe për kapacitetet lidhur me pajisjet e testimit.

“Ka kërkuar me forcë OBSH dhe cdo ditë, përsërisin cdo ditë të gjithë ekspertët më të mirë ndërkombëtarë.

Vetëm evidentimi i të prekurve, testimi i të afermve të tyre, karantinimi dhe izolimi i tyre do të shkëpusë zinxhirin e përhapjes së virusit të tmerrshëm.

Mëngjesi i sotëm ka nisur i #trishtë. Me viktima të tjera nga #COVID 19, në moshë krejt të re, vetëm 43 vjeç e pa sëmundje të tjera.

Duke shprehur Ngushëllime të sinqerta për familjaret e të afërmit e tyre, kjo duhet të jetë një thirrje për të bërë çmos të shpëtohen jetë të tjera.

E për këtë, gjithësecili duhet të bëjë punën e detyrën e tij.

E ndërsa qytetarët me hir apo pahir po zbatojnë rregullat, duke mbajtur #distancimin #social e duke u izoluar.

Është Qeveria ajo që duhet të ndryshojë qasje sa nuk është tepër vonë.

  1. Duke bërë transpatencë totale:

– TESTET: sa teste jane bërë dhe ku? Sa tampone janë ne gjendje? Sa duhen? A jane porositur?

– NR SHTETËRVE: Sa është numri i shtretërve me pajisjet përkatëse për trajtimin e personave me COVID-9? Sa shtretër nevojiten? Cilat janë mungesat?

– PAJISJE TESTIMI: Sa pajisje për testimin janë? Kur vihet në funksionim pajisja ne laboratorin e QSUT? Pse nuk porositen pajisje të tjera që nxjerrin përgjigjet në kohë reale (sic Qeveria e KOsovës ka porositur) në mënyrë që të decentralizohet bërja e analizave edhe në qarqe të mëdhaja?

  1. Testimi i cdo të dyshuari, kontakteve, atyre me simptoma qofte edhe të lehta.

Është urgjente, e domosdoshme, jetike, që Qeveria, të bëjë cdo gjë për të siguruar numrin e duhur të testeve për të ndjekur cdo të dyshuar COVID-19 e cdo kontakt të tyre.”– shkruan Vokshi.

Në mëngjes u dha lajmi se kishte ndërruar jetë një pacient 43-vjeçar, i shtruar tek infektivi, i cili ishte nga Kavaja. Ai u konsiderua si viktima e katërt nga koronavirusi në vend.  Përveç obezitetit, ai nuk kishte sëmundje të tjera shoqëruese. Ministria e Shëndetësisë tha paraditen e sotme se kishte ndërruar jetë dhe pacienti i pestë i prekur nga koronavirusi në vend, mirëpo nuk kaluan shumë minuta dhe i njëjti institucion deklaroi se pacienti nuk kishte ndërruar jetë por kishte pësuar vdekje klinike dhe ndodhej në gjendje të rëndë.

Mbrëmjen e kaluar ndërroi jetë dhe një 71-vjeçar nga Kuçova, i cili vuante nga kanceri në mushkëri, në stad tejet të avancuar.

Më parë kanë humbur jetën po ashtu nga koronavirusi edhe një e moshuar nga Durrësi dhe një nga Lushnja. Ndërkohë numri zyrtar i personave të infektuar në vend deri tani është 89./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *