Ministrja e Shëndetësisë ka dhënë sot disa shifra lidhur me kapacitetet e vendit në materiale specifike mbrojtëse në situatën e krijuar nga Covid-19.
Në konferencën për mediat, Manastirliu deklaroi se vendi ka 25 mijë maska FFP2 e FFP3 ndërsa parashikon të marrë mijëra të tjera.
Ajo tha edhe të tjera të dhëna lidhur me veshjet mbrojtëse e respiratorët ndërsa njofto ngritjen e çadrave të triazhit në oborrin e QSUT-së dhe Spitalit të Traumës.
Ministrja u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes maksimal dhe të zbatojnë rekomandimet e dhëna.
‘Kemi 25 mijë maska FFP2 e FFP3 dhe do marrim dhjetëra mijëra të tjera. Veshje speciale kemi 10 mijë në gjendje dhe do rrisim stokun edhe me 50 mijë të tjera. Po kështu syze, dezinfektantë e helmeta kemi në gjendje. Për sa u përket maskave kemi 500 mijë maska të thjeshta, 650 mijë doreza sterile e josterile. Do ngremë çadra triazhi para QSUT-së e Spitalit të Traumës. Jemi duke përfunduar trajnimin e stafit. Kemi porositur 54 respiratorëve dhe do marrim edhe 100 respiratorë të tjerë në një periudhë 9-45 ditore.’ – tha ndër të tjera ministrja.