Shefi i stafit të kancelares gjermane Angela Merkel, shprehet optimist pas vendosjes së saj në karantinë. Siç shkruan Reuters, shefi i stafit të saj Helge Braun, tha se Merkel pati vetëm një kontakt të shkurtër me mjekun që ka rezultuar pozitiv, kështu që sipas tij ka shanse që ajo të mos jetë infektuar.
“Ajo ishte vetëm për pak kohë në kontakt me mjekun. Duke pasur parasysh këtë, ne jemi optimistë që kancelarja ndoshta nuk është infektuar fare”- i tha Braun një emisioni në televizionin ARD vonë të dielën.
Merkel kishte bërë një vaksinë kundër pneumokokut pasditen e së premtes, një bakter që shkaktonte pneumoni. Mirëpo të dielën ajo u vendos në karantinë, pasi mjeku që i kishte bërë vaksinën kishte rezultuar pozitiv për koronavirus.
Merkel, e cila është 65 vjeç, do të vazhdojë punën e saj nga shtëpia dhe do të testohet vazhdimisht gjatë ditëve të ardhshme.