Ndërkohë që në vendin tonë ka shkuar në 123 numri i personave të infektuar me koronavirus në vend, zv.kryeministri Erion Braçe u bën thirrje personave që janë kthyer nga zona e kuqe në Itali që të karantinohen, e kryesisht të rinjve.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe thotë se ata po vrasin njerëz.
“Po si ka mundësi që nuk doni të kuptoni?! E kam me secilin nga ju që keni ardhur nga zona e kuqe në Itali në datat 8, 9, 10 mars e më tej; Po vrisni njerez! Kuptoni apo jo?
Në Korçë mbesa e ardhur në datën 8 infekton gjyshërit mbi 70-vjeç, në Vlorë djali i ardhur në datën 9 infekton prindërit mbi 60-vjeç, në Lushnjë djali i ardhur në daten 10 infekton dy prindërit mbi 74-vjeç. Të gjithë në fashën e riskut të lartë e në vetëm tre ditë! Djem e vajza, një dorë e dhënë, një puthje shqiptare, një përqafim po aq folklorik, është si shkrehja e një kobureje që vret! As e vë në dyshim që i doni prindërit,
Gjyshërit, familjarët, madje dhe kushërinjtë e kushërirat, por po i vrisni! Vërini kyç zemrës nëse vërtetë i doni!
Tregoni nga vini dhe merrni distancë fizike nga cilido që doni e jo vetëm!
Ndalini vizitat tek kushërinjtë se “jeni kthy apo janë kthy nga jashtë shteti e duhet me i shku e me ju shku”! BOLL SE PO JU MERRNI JETËN!
DO E KENI PENG JU GJITHË JETËN!”– shkruan Braçe.
Vetëm pak më herët, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se numri i personave të prekur nga koronavirusi kishte shkuar në 123, ndërsa sot është shënuar dhe viktima e pestë. Një 49-vjeçar i cili vuante dhe nga diabeti.