Vendosni fjalën kyçe....

Sot Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Basha tregon pikat e dobëta të planit ekonomik të Ramës


Mbrëmjen e kaluar, kreu i PD-së Lulzim Basha, tregoi se çfarë qëndrimi do të mbajë sot opozita në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

I ftuar në emisionin “Tempora” të gazetares Sonila Meço, Basha u fokusua tek pamjaftueshmëria e planit të qeverisë, që sipas tij përfshin vetëm 1/3-ën e të vetëpunësuarve dhe lë pa ndihmë 35-50 të punësuar në bizneset e vogla të mbyllura.

I pyetur për planin me 7 pika të Ramës, Basha tha ai nuk i ndihmon mijëra qytetarë të paregjistruar si të papunë, megjithëse jetojnë në varfëri ekstreme.

“Së pari, dua të them se është një hap i parë i mirë të cilin e përshëndes, por që është një hap i pamjaftueshëm. Prej dy javësh i kemi kërkuar qeverisë të veprojë pa hezitim dhe pa pengesë. Pse i kemi kërkuar të veprojë pa vonesë?! Sepse çdo ditë që kalon bëhet fjalë për dhjetëra mijëra biznese të mbyllura.

Kemi një rënie në pikiatë të konsumit gjë që përkeqëson shëndetin e ekonomisë dhe përçon efektin e sëmundjes së ekonomisë tek çdo familje, dëmton ekonominë kombëtare, ekonominë familjare, ul të ardhurat, rrënon bizneset. Më në fund paketa ka ardhur, por është e paplotë. E mirëpres hapin e parë për ndihmën ekonomike për afro 30 mijë familje. Ekzaktësisht llogaria që kryeminsitri ka bërë me dije janë 30200 të vetëpunësuarit e biznesit të vogël. Por, nëse kjo ndihmë nuk u shkon në llogari 30200 familjeve në fund të muajit, atëherë ka shumë gjasa që të mos kenë asnjë mundësi për t’ia dalë. U deklarua të enjten, po detajohet sot ditën e martë, Ndaj duhet që sa më shpejt këto para të përfundojnë tek këto familje. Sepse e shoh shumë të vështirë me kapacitetet që po punohet tani, nëse do të realizohet apo ajo, sepse nuk e dimë kush janë këto 30200, ndërkohë që numri i bizneseve që janë mbyllur është shumë i madh. Si do detajohen? Kush do të përfitojë? Pse nuk do përfitojnë të tjerët? Këto janë çështje të cilave duhet t’i japë përgjigje sa më shpejt qeveria.

Kjo ka qenë arsyeja e propozimit të kësaj mase një javë me parë. Sepse çdo ditë që kalon shënon një thellim të gropës ekonomike. Ju thashë, hapi i parë është tërësisht i pamjaftueshëm. Janë afro 90 mijë biznese të vogla dhe të gjitha janë biznese familjare. Duke qenë se qeveria ka vendosur të kompensojë vetëm 1/3 e tyre duhet të këtë një arsye përse ka vendosur të kompensojë vetëm 1/3 e tyre. Sonte nuk dua të paragjykoj pse ka vendosur të kompensojë 1 në 3.

Por sonte dua të përsëris thirrjen ta bëjë transparente arsyen. Pse ka vendosur të kompensojë vetëm 1/3 biznese? Sipas llogarive tona dhe kontakteve me shoqatat e biznesit dhe përfaqësuesit e tyre kemi midis 65-80 mijë biznese të mbyllura, pa asnjë aktivitet si pasojë e masave të marra nga epidemia. Në rastin më të mirë janë edhe 35 mijë që janë pa asnjë të ardhur nga kjo masë. Në rastin më të keq edhe 50 mijë të tjerë, po flas këtu vetëm për të vetëpunësuarit. Ndaj duhet urgjentisht të bëjë publik planin që qeveria ka për këto familje.

Po kaq e rëndësishme është të shpallet ndihma për të punësuarit në këto biznese, sepse po të keni parasysh edhe një kafe lagjeje përveç pronarit ka të punësuar dy tre persona të tjerë që do të marrin rrogën. Edhe ato janë familjarë, përfaqësojnë familje. Çfarë do të ndodhë me ta.”- shprehet Basha.

Basha i komentoi me radhë dhe pikat e tjera dhe tha se disa çështje kanë ngelur pa përgjigje. Mes tyre çfarë parashikon plani për ata që janë nxjerrë nga ndihma ekonomike, sa do përfitojnë personat e mbetur të papunë nga Covid-19.

Sipas kryedemokratit, shuma totale e vënë në dispozicion është e pamjaftueshme. Buxheti sipas tij ka rezerva që duhen shtrydhur dhe duhen vënë në dispozicion të qytetarëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *