Mesditën e sotme pritet të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Sigurisë, për shkak të përhapjes së Covid-19.
Mbledhja pritet të zhvillohet online, për shkak të masave që kufizojnë lëvizjen dhe ndalojnë grumbullimet, dhe do të nisë rreth orës 12:00.
Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi, në emisionin “Përballë”, presidenti Meta tregoi temat që do adresohen në mbledhje të cilat derivojnë nga situata që po shkakton pandemia e koronavirusit.
“Bashkëpunimi ka qenë i vazhdueshëm për përballimin e kësaj sfide të re dhe tërësisht të pazakontë. Tani është momenti për të diskutuar edhe një herë, jo vetëm për masat e marra deri tani, por edhe rreth parashikimit mbase për një plan më afatgjatë, në varësi me skenarët e zhvillimit të kësaj pandemie në nivel kombëtar por edhe ndërkombëtar.
Njëkohësisht do përqëndrohemi edhe tek skenarët e ndikimit në ekonomi, në jetën sociale, në mënyrë që në çdo aspekt të jemi sa më të mbrojtur dhe të dalim nga kjo situatë e jashtëzakonshme me sa më pak pasoja, si për sa i takon shëndetit të qytetarëve tanë, por edhe ekonomisë tonë kombëtare dhe familjare”-tha Meta.
Kjo mbledhje do bëjë bashkë pas shumë kohës kryeministrin Edi Rama me kreun e opozitës Lulzim Basha, pas ftesës që presidenti i bëri dhe këtij të fundit.
Në mbledhje do të marrin pjesë të gjithë ministrat e kabinetit Rama, kreu i SHISH-it, Helidon Bendo, kryeprokurori Olsian Çela, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci, drejtori i Pergjithshëm i Policisë, Ardi Veliu si dhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.
Kjo mbledhje vjen një ditë pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të virusit Covid-19, i cili deri tani në vend ka shkaktuar 5 viktima dhe ka infektuar 123 qytetarë.