Ka shkuar në gjashtë numri i personave që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi në vendin tonë. Rasti më i fundit është ai i një gruaje 71-vjeçare nga Tirana, të shtruar në spitalin infektiv.
E moshuara vuante gjithashtu nga hipertensioni.
“Gjatë mbrëmjes së sotme ndërroi jetë një paciente 71-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19, e shtruar në spitalin Infektiv, në terapi intensive, në frymëmarrje të drejtuar (respirator).
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçarja me hipertension, e shtruar prej 7 ditësh në spitalin Infektiv, nuk arriti të mbijetojë.
71-vjeçarja është viktima e gjashtë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe i bën thirrje dhe një herë qytetarëve të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes.”- njofton Ministria e Shëndetësisë.
Pacienti i pestë që ka humbur jetën nga koronavirusi në vend, ishte një 49-vjeçar nga Tirana, i cili vuante nga diabeti dhe ishte prej 10 ditësh në terapi intensive. Rastet e tjera janë po ashtu nga Tirana, Kavaja, Durrësi e Lushnja.
Ndësa përsa i përket numrit të të infektuarve, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 23 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në 146 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në vendin tonë./Hashtag.al