Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar qytetarët shqiptarë të bllokuar në vendet e Europës për shkak të krizës së koronavirusit, se data e rifillimit të fluturimeve do të varet nga ecuria e gjendjes ndërkombëtare.
Për këtë arsye u ka kërkuar që të evitojnë blerjen e biletave të transportit ajror nga çfarëdo burimi, të paktën për javët në vazhdim.
“Në këto kohë të vështira të ndalimit të fluturimeve për/nga Shqipëria, në kuadër të masave të marra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Autoriteti Aviacionit Civil ndërgjegjësohet me interesin e disa qytetarëve për të udhëtuar për/nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në drejtim të destinacioneve Evropiane e më tej por thekson se fluturimet për/nga Shqipëria janë pezulluar deri në një urdhër të dytë
Data e rifillimit të fluturimeve do të varet nga ecuria e gjendjes ndërkombëtare, prandaj këshillojmë të gjithë qytetarët të evitojnë blerjen e biletave të transportit ajror nga çfarëdo burimi (kompani ajrore, agjenci apo faqja të ndryshme në internet) të paktën për javët në vazhdim, deri sa të njoftoheni nga kanalet zyrtare për ri-fillimin e fluturimeve.”- thuhet në njoftimin e Aviacionit Civil.
Më pas tregohet se ata që duan të kthehen nga shtetet e Europës, duhet të bëjnë një aplikim në portalin www.shqipëriaqëduam.al ose përmes konsullatave.
“Ndërkohë, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet kompanisë flamurmbajtëse Shqiptare “Air Albania”, do të kryejë fluturime riatdhesimi #falas nga vende të ndryshme të Evropës drejt Tiranës në ditët në vijim. Për këtë bashkëqytetarët e ngelur jashtë kufijve të Shqipërisë duhet të shkruajnë tek www.shqiperiaqeduam.al për të regjistruar kërkesën për kthimin e tyre, dhe/ose nëpërmjet kontaktit të Ambasadave apo Konsullatave tona më të afërta pranë tyre.
Këto janë kohë të pazakonta dhe kërkojnë ndërgjegjësimin qytetar për zbatimin e të gjithë rregullave të vendosura nga institucionet shtetërore për menaxhimin e situatës.
Për çdo paqartësi apo pyetje jeni të lutur të na shkruani drejtpërsëdrejti në adresën e emailit pax@acaa.gov.al dhe info@acaa.gov.al dhe ne do t’ju përgjigjemi zyrtarisht në kohë rekord.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe të bashkuar, por larg fizikisht, do ta kalojmë këtë situatë dhe do të fluturojmë e takohemi serish.”- përfundon njoftimi.