Ministri i Financave në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka propozuar një paketë masash për sektorin privat teksa vendi përballet me emergjencën e koronvirusit.
Ai thekson se masat e marra nga qeveria për kufizimin e shumë veprimtarive ka çuar në rënie të prodhimit dhe rënie të aktivitetit ekonomik për qytetarët, biznesin e buxhetin e shtetit.
Paketa e propozuar prej tij shkon rreth 73 milionë euro për dy muajt e ardhshëm.
‘Kapaciteti është shumë i kufizuar dhe borxhi është i lartë për shkak të pa pagesave. Masat e Qeverisë edhe në aktivitetin ekonomik janë reflektuar me një automatizëm edhe te të hyrat doganore dhe tatimore nga 7.5 deri në 12.5%. Mund të ketë 200 milionë euro më pak të hyra. Mbulimin e shpenzimeve për paga për ata që janë afektuar në masën e pagës minimale prej 170 euro për dy muaj në vijim, maksimumi i mjeteve të alokuara në këtë masë janë 41 milionë euro. Subvencionimin e qirasë deri në maksimumin e masës deri në 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për dy muajt e ardhshëm. Për punëtorët e ndikuar nga pika 1, që marrin atë pagën shtesë nga qeveria prej 170, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm’, ka thënë ai para mediave.