Vendosni fjalën kyçe....

Mënyrat se si mund të përhapet virusi në zyra


Miliona njerëz në të gjithë botën i kanë braktisur zyrat e tyre, tavolinat e organizuara me kujdes, dritat fluoreshente, fotokopjuesin, ftohësin e ujit në zyrë… ndërsa qeveritë kërkojnë që puna të bëhet nga shtëpia.

Këto masa janë një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.Punëtorët konsiderohen më të sigurt në shtëpitë e tyre dhe shmangia e zyrave të mbushura me njerëz mund të ngadalësojë përhapjen e Covid-19.

Ndalimi i punës në zyra nuk është vetëm një masë paraprake pasi zyrat kanë qenë dhe janë vendet kryesore për përhapjen e viruseve dhe baktereve. Ju jeni të familjarizuar me ciklin: çdo sezon, një virus del në qarkullim. Një person do të vijë në zyrë me teshtitje, kollitje dhe do t’ja kalojë virusin që ka tek kolegët. Dhe cikli do të vazhdojë. Sezon pas sezoni, një virus do të qarkullojë.

Studiuesit kanë treguar që insektet, mikrobet, viruset dhe bakteret përhapen lehtësisht në një zyrë. Krissi Hewitt, drejtore e kërkimit institucional dhe iniciativave strategjike në Shkollën e Shkencave dhe Matematikës në Karolinën e Veriut, ka hulumtuar diversitetin dhe jetën mikrobiale në zyra.

“Njerëzit kalojnë një sasi të madhe të jetës së tyre të përditshme në kufijtë e zyrës ku hapësirat e ndara dhe ndërveprimi i lartë me sipërfaqet e përbashkëta, rrit sasinë e mikrobeve në sipërfaqe dhe në ajër”- thotë ajo.

Me fjalë të tjera, shumë nga zonat në zyrën tuaj mund të jenë vektorë për përhapjen e virusit. Dhe sa më shumë kolegë që i prekin ato, aq më i lartë është rreziku i kontaminimit. Jonathan Sexton, një studiues në Kolegjin e Shëndetit Publik në Universitetin e Arizonës, zbuloi se objekte të tilla si frigoriferë, doreza sirtarësh, doreza rubinetash, dyert për të dalë për pushimin dhe filxhanët e kafesë kanë më shumë tendencë për të patur një përqendrim më të lartë të mikrobeve.

Dhe ata udhëtojnë shpejt, sipas një studimi të Shoqatës Amerikane për Mikrobiologji. Studiuesit vendosën një mostër të një virusi të padëmshëm në një dorezë dere ose në një tavolinë zyre në një ndërtesë.

Zona e parë që ishte kontaminuar ishte dhoma e kafes, thotë studiuesi Charles Gerba, mikrobiolog në Universitetin e Arizonës. Brenda dy deri në katër orë, virusi mund të zbulohet në 40% deri në 60% të punëtorëve, vizitorëve dhe objekteve të prekura më shpesh.

Higjiena e dobët nga punonjësit e zyrave mund të përkeqësohet edhe për këtë: një studim në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019 tregoi se vetëm 61% e punonjësve të zyrave në Mbretërinë e Bashkuar i lajnë duart siç duhet me ujë të ngrohtë dhe sapun pasi shkojnë në tualet.

Një virus në ajër

Gishtat dhe tavolinat e pista janë një gjë, por rreziku më i madh për përhapjen e virusit është se ai  po udhëton nëpër ajër.

“Rreziku i madh nuk është nga ndërtesa e zyrës por nga punonjësit e sëmurë”– thotë Dr. Ali Khan, një epidemiolog dhe profesor në Kolegjin e Shëndetit Publik UNMC, në Universitetin e Nebraskës.

 “Nëse një person është i sëmurë, ai ose ajo mund të përhapë mikrobet përmes kollitjes dhe teshtitjes, duke prekur sipërfaqet dhe përmes kontaktit të ngushtë me të tjerët. Edhe duke qëndruar në tavolinat e tyre, mikrobet mund të përhapen nga piklat që vendosen në çdo sipërfaqe dhe shkaktojnë ndotje ”.

Qarkullimi i ajrit në zyra gjithashtu mund të kontribuojë në përhapjen e mikrobeve. Hewitt thotë se në ambiente të mbyllura, mikrobet qarkullojnë nëpër ajër dhe brenda sistemeve HVAC.

“Mirëmbajtja e sistemeve dhe e filtrimit ka një ndikim në mënyrën se si ndotësit qarkullojnë përmes ajrit, kështu që ndërtesat që nuk funksionojnë siç duhet për filtrimin e ajrit, lagështira dhe temperaturat mund të kontribuojnë në sasi më të larta të mikroorganizmave që lëvizin nëpër sistem,” thotë ajo.

Vetëm vazhdoni të lani duart

Zyrat e krijuara në shtëpi, në të cilat tani po punojnë shumë prej nesh janë mjedise më të kontrolluara, me më pak njerëz dhe me më pak sipërfaqe të prekur, thotë Lisa Ackerley, nënkryetare e Forumit Shkencor Ndërkombëtar mbi Higjienën në Shtëpi.

Ju nuk ndani vende të përbashkëta me kolegët tuaj dhe nuk keni pse të shqetësoni për higjienën e dobët të tyre.

Por, nëse shkoni jashtë, prapë mund ta sillni virusin në shtëpinë tuaj ndërsa punoni në distancë, nëse nuk jeni të kujdesshëm. “Virusi nuk mund të rritet spontanisht në shtëpinë tuaj. Duhet të jetë sjellë nga një person i infektuar “- thotë Khan.

Kjo do të thotë se nëse vihesh në kontakt me dikë që është i sëmurë ose prek një sipërfaqe të infektuar, ti e transferon në sipërfaqet e tua në shtëpi.

Edhe nëse virusin e keni në duar, duhet ta çoni në trupin tuaj për t’u sëmurë. Mos harroni, mënyra e vetme që viruset të rriten është brenda trupit, dhe ju e transferoni viruin në trup duke prekur fytyrën. Kjo vlen për koronaviruset, përfshirë Covid-19.

Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që, pavarësisht se jeni duke punuar në shtëpi, duhet t’i jepni përparësi higjienës.

Është një ide e mirë, të vazhdoni të lani duart.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *