Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka sqaruar nëpërmjet një video se portali “Mësues për Shqipërinë” do pezullohet për shkak të situatës së shkaktuar nga koronavirusi.
Ministrja shton se testimi do zhvillohet në momentin që do normalizohet situata.
“Duke marrë parasysh që këto dy procese kërkojnë testim të mësuesve, pra duhet që një numër mësuesish të qëndrojnë në një dhomë ku realizohet testimi, kjo nuk është e mundur të zbatohet tani që jemi në një gjendje të karantinimit e distancimit social. Por, në momentin e parë që do të normalizohet situata, ne do të ndajmë datat se kur do të zhvillohen testimet si për portalin “Mësues për Shqipërinë”, ashtu edhe për kualifikimin e mësuesve duke ju njoftuar në vijim”-tha Shahini.
Gjithashtu, Shahini ka thënë se praktikat e punës nuk do përsëriten dhe se do llogariten edhe orët e punës së mësimdhënies online si praktikë.
“Nuk keni nevojë ta përsërisni praktikën e punës. Ju keni bërë mjaftueshëm orë pune në shkollë, të cilat do të konsiderohen drejt praktikës suaj. Një pjesë e madhe e juaja jeni të angazhuar në mësim online me mësuesit tuaj mentorë. Edhe kjo do të konsiderohet si punë praktike, si dhe punën që do ta mbyllni kur të kthehemi nëpër shkolla. Dhe kjo do ta plotësojë për aq sa është e mundur numrin maksimal të orëve që kërkohet nga ju për të konsideruar se e keni mbyllur praktikën nëpër shkolla. Kështu që, pa shqetësime, e kemi marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi të gjithë dhe do të jemi maksimalisht fleksibël me juve”-theksoi ministrja e Arsimit.