Rusia do të mbyllë plotësisht kufijtë e saj duke nisur nga 30 marsi, për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri.
Mediat ruse shkruajnë se autoritetet urdhëruan që të gjitha pikat e kontrollit të automjeteve, hekurudhave dhe këmbësorëve, si dhe kufijtë detarë të vendit, të mbyllen duke nisur nga e hëna. Kjo pasi vendi kishte regjistruar 1.264 raste të konfirmuara me Covid-19, një rritje prej 228 raste të reja në 24 orë.
Rrugët e Moskës ishin sot të boshatisura me hyrjen në fuqi të masave të reja shtrënguese për të luftuar kundër përhapjes së koronavirusit përfshirë mbylljen e të gjitha tregjeve jothelbësore dhe restoranteve.
Kryeqyteti rus nuk ka urdhëruar kufizim të përgjithshëm, por i ka ashpërsuar këtë javë masat. Moska, e cila është zona më e prekur në Rusi, ka mbyllur të gjitha kafenetë, restorantet dhe dyqanet, përveç atyre që shesin ushqime dhe ilaçe, deri më 5 Prill.
Që prej të enjtes, të moshuarit janë të ndaluar të dalin nga shtëpia.
Presidenti rus, Vladimir Putin u kërkoi rusëve të qëndrojnë në shtëpi dhe për këtë dekretoi një javë pushim.