Mjeku Pëllumb Pipero ka deklaruar ditën e sotme se numri i personave që shërohen nga koronavirusi është në rritje ditë pas dite.
Ai tha se shumica e të prekurve e kalojnë virusin pa shenja ose me shenja të lehta. Ndërsa shtoi se java që sapo ka hyrë do japë të dhëna të rëndësishme lidhur me pikun.
“Më duket situatë e qëndrueshme. Situata e pacientëve është e ndryshme. Numrat e personave që shërohen janë në shtim dita-ditës, kemi persona në gjendje të rëndë apo relativisht të rëndë, kemi 5-6 pacientë të inturbuar, kemi nga ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese, që jemi të rezervuar të japim informacione. Edhe ne nuk bëjmë përjashtim nga bota, edhe tek ne një 80-vjeçare është shëruar. Shumica e kalojnë në forma të lehta, duhet bashkëpunim me mjekun, kurajo. Nuk besoj se e kemi arritur pikun, kjo javë do të na tregojë, jam i bindur se kjo javë do të tregojë shumë.” – tha ai.
Ai shtoi se pas kësaj jave, numri i të prekurve do qëndrojë në shifrat e tanishme ose do fillojë të bjerë.