Studiuesit italianë kanë nisur të hetojnë nëse koronavirusi ka qenë përhapur që në tetor dhe nëntor, një nga hipotezat që ka qarkulluar më shumë në rrjet në ditët e fundit.
Siç shkruan Reuters, shkencëtarët po studiojnë nëse numri më i lartë se zakonisht i rasteve të pneumonisë së rëndë dhe gripit në Lombardi në tremujorin e fundit të vitit 2019, mund të jetë një sinjal se koronavirusi i ri mund të ishte përhapur përtej Kinës më herët sesa mendohej më parë.
Adriano Decarli, një epidemiolog dhe profesor i statistikave mjekësore në Universitetin e Milanos, tha që kishte një rritje “të konsiderueshme” të numrit të personave të shtruar në spital për pneumoni dhe grip në zonat e Milanos dhe Lodis midis tetorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar.
Ai i tha Reuters se nuk mund të jepte shifra të sakta, por “qindra” më shumë njerëz se zakonisht ishin dërguar në spital në tre muajt e fundit të vitit 2019 në dy nga qytetet më të goditura nga Lombardia – me pneumoni dhe simptoma të ngjashme me gripin, dhe disa nga ata kishin vdekur.
Decarli po rishikon të dhënat e spitalit dhe detajet e tjera klinike të atyre rasteve, përfshirë njerëzit që vdiqën më vonë në shtëpi, për të provuar nëse epidemia e re e koronavirusit ishte përhapur më herët në Itali.
“Ne duam të dimë nëse virusi ishte tashmë këtu në Itali në fund të vitit 2019, dhe nëse po, pse mbeti i paditur për një periudhë relativisht të gjatë në mënyrë që të mund të kishim një imazh më të qartë në rast se duhet të përballemi me një valë të dytë të epidemisë”- tha ai.
Organizata Botërore e Shëndetit ka thënë që koronavirusi i ri dhe COVID-19, sëmundja e frymëmarrjes që ajo shkakton, ishin të panjohura para se shpërthimi u raportua për herë të parë në qytetin e Ëuhan-it në Kinë, në muajin dhjetor.
Decarli tha që sapo të përfundohej studimi i tij, autoritetet lokale shëndetësore mund të vendosin të kërkojnë autorizim për zhvarrosjen e trupave të personave me simptoma të dyshimta.
Ekspertë të tjerë hedhin dyshime mbi hipotezën se virusi i ri mund të kishte qarkulluar në Europë para fundit të vitit 2019.
“Unë mendoj se është jashtëzakonisht e pamundur që virusi të ishte i pranishëm në Europë para janarit”– tha Paul Hunter, një profesor në mjekësi në Universitetin e Anglisë Lindore, i cili ka qenë duke ndjekur zhvillimin e pandemisë.
Hunter tha se nëse shkencëtarët italianë nuk marrin rezultate pozitive nga mostrat e marra në atë kohë, atëherë sugjerimit nuk duhet t’i jepet besim.