Vendosni fjalën kyçe....

As koronavirusi nuk i ndal dot, çifti i të moshuarve që e pijnë kafen çdo ditë bashkë në kufi (FOTO)


Inga Rasmussen dhe Karsten Tüchsen Hansen u takuan për herë të parë dy vjet më parë

Një çift i moshuar janë bërë të famshëm për shkak të takimeve të përditshme të tyre në kufirin mes Danimarkës dhe Gjermanisë.

Siç shkruan BBC, 85-vjeçarja e quajtur Inga Rasmussen, nga Danimarka takohet çdo ditë me 89-vjeçarin nga Gjermania, Karsten Tüchsen Hansen, pavarësisht bllokimit të kufijve nga koronavirusi.

Dy të moshuarit takohen pranë qytetit të Aventoft për të biseduar dhe për të pirë diçka, ulur në një distancë të sigurt nga njëri-tjetri.

Kufiri Gjermani-Danimarkë u mbyll dy javë më parë për shkak të përhapjes së pandemisë. Deri më tani, Gjermania numëron rreth 63,000 raste të konfirmuara të virusit, ndërsa Danimarka mbi 2.500.

Për shkak të koronavirusit, zona e Shengenit në Europë ka ndaluar lëvizjen e lirë duke rikthyer kufijtë për herë të parë në 25 vjet.

Por çifti nuk do të lejojë që një pandemi globale t’i ndajë ata.

“Është e trishtueshme, por ne nuk mund ta ndryshojmë këtë”- i tha zonja Rasmussen transmetuesit publik gjerman Deutsche Welle.

Dy të moshuarit janë bërë të famshëm pasi kryetari i qytetit Tonder i gjeti ndërsa po lëvizte me biçikletë.

Dyshja u takuan dy vjet më parë, dhe për më shumë se një vit kanë kaluar pothuajse çdo ditë së bashku.

Zonja Rasmussen vjen në kufi me makinë nga qyteti i saj Gallehus, ndërsa z. Hansen udhëton me biçikletë nga Süderlügum.

Ky i fundit ndonjëherë preferon të kthejë ndonjë gotë alkol gjatë takimit, por zonja Rasmussen i qëndron kafesë.

“Në fund të fundit, unë duhet të drejtoj makinën”– i tha ajo gazetës daneze Der Nordschlesëiger.

Zonja Rasmussen dhe Hansen kanë bërë disa udhëtime së bashku më parë dhe planifikojnë të udhëtojnë përsëri pasi të ketë mbaruar emergjenca e koronavirusit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *