Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama flet për “Rai 3”: Mjekët që erdhën në Itali nuk i kishin njoftuar prindërit


Kryeministri Edi Rama, ka folur në një lidhje direkte me televizionin Rai3 lidhur me vendimin e tij për të dërguar 30 mjekë e infermierë në shtetin fqinj.

Gjatë kësaj interviste, Rama tha se vendimi i tij erdhi krejt natyrshëm dhe shtoi se disa prej mjekëve nuk i kishin lajmëruar prindërit e tyre.

“Gjithçka erdhi shumë natyrshëm (dërgimi i personelit mjekësor në Itali). Atë që po ndodhte në Itali, duke e parë në televizor, duke ndjerë dhimbjet e atij populli, thamë, që më mirë të dëgjojmë Nënë Terezën që thoshte; ‘Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri’. Ne e ndezëm një. Ishte një ide që unë ia thashë presidentit italian. Më pas ai tha se do të ishte fantastike. Kishim dhe disa dyshime se ata nuk do të ishin shumë të gatshëm që të shkonin në këtë luftë, por të gjithë u përgjigjën pozitivisht menjëherë. Madje kishte dhe nga ata që nuk ia kishin thënë prindërve. Ma thanë në aeroport, që “nëse do ua thoshim prindërve, s’do na linin. Do na mbyllnin derën”, tha Rama.

Moderatorja italiane i tha Ramës që do kujdesen italianët për ta, duke u bërë thirrje prindërve të mos shqetësohen.

“Rrini të qetë se do të kujdesemi për ta edhe ne. Edhe ne si italian jemi popull bujar dhe i ndjeshëm”, u shpreh Serena Bortone.

Rama tha se e kaluara nuk harrohet për shqiptarët ndërsa tha se dhe BE-ja duhet të bëjë hapa para dhe të marrë masa për të luftuar koronavirusin.

 “Italia ka qenë pranë Shqipërisë, kur është dashur. Të gjithë ata që kanë qeverisur Italinë për këto 30 vite, e kemi ndjerë përkrahjen gjithmonë. Presidenti dhe kryeministri italian kanë qenë avokatët tanë në tryezat e BE. Ne duke qenë se e dimë se jemi të varfër, i morëm masat më shpejt, dhe u futëm në shtëpi. Siç thotë Murinjo, vumë autobusin përpara. Ajo që unë kam frikë se do të ndodh pasi të ikë armiku, mund të kemi krize ekonomike. Këtu ka nevojë që BE të bëjë një hap para, s’duhet vetëm të thuhet që të marrim masa vetëm ne dhe të përdorim buxhetet tona.”- tha Rama.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *