Kryeministri në detyrë i Kosovës, Kurti, nuk pritet të shkojë nesër në takimin e thirrur nga presidenti Thaçi.
Ky i fundit i dërgoi dje një ftesë zyrtare Kurtit për t’u takuar të mërkurën në cilësinë e kreut të Vetëvendosjes për të biseduar nesër për hapat që do ndërmerren pas rrëzimit të qeverisë.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, tha gjatë një prononcimi për mediat para Gjykatës Kushtetuese se tani nuk është koha e takimeve dhe se presidenti Thaçi duhet të respektojë Kushtetutën dhe ta shpërndajë Kuvendin, bazuar në nenin 82 të saj.
“Nuk është koha e takimeve, duhet të jemi të përkushtuar në respektimin e vendimeve të Qeverisë”, ka thënë ajo, shkruan Lajmi.