Ministria e Jashtme iraniane ka treguar aftësitë në “Photoshop”, duke vënë foton e Mike Pompeos, pas imazhit të koronavirusit.
Përmes këtij posteri, Irani tenton të kundërshtojë sanksionet e vendosura nga SHBA-ja. Siç vihet re, në fjalën “sanksione”, imazhi i tejdukshëm i Pompeos është vënë poshtë shkronjës “o” të ilustruar si koronavirus.
Imazhi i postuar nga ministria në Twitter, është një thirrje për “ndalimin e krimeve të luftës” dhe “respektimin e sanksioneve imorale dhe të paligjshme amerikane”.
Irani është ndër shtetet më të prekura nga koronavirusi. Siç shkruan RT, Irani ka më shumë se 41,000 raste të konfirmuara dhe mbi 2.700 vdekje.
Përveç dëmtimit të ekonomisë iraniane në tërësi, sanksionet e SHBA-së kanë penguar dhe aftësinë e Teheranit për t’u furnizuar me ilaçe dhe me pajisje të rëndësishme.
Zyrtarët iranianë ngritën alarmin për sanksionet, ndërsa organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, kërkuan një pezullim urgjent të të gjitha kufizimeve për çdo komb lidhur me pandeminë. Sidoqoftë, SHBA-ja, vazhdoi t’i rritë sanksionet e saj kundër Iranit javën e kaluar, përmes një pakete të re.
Në fillim të këtij muaji, Pompeo fajësoi liderët e Iranit për situatën e krijuar nga koronavirusi në vend, duke i akuzuar ata për paaftësi, dhe madje duke i quajtur ata “bashkëpunëtorë” të virusit.