Vendosni fjalën kyçe....

13 të vdekur dhe 243 të infektuar nga koronavirusi në Shqipëri


20 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në 24 orët e fundit në Shqipëri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 243.

Për të dytën ditë radhazi, nuk ka qytete të reja që i shtohen hartës së qyteteve të prekura në vend, ndërsa rastet e reja janë shtuar në Tiranë (5 raste), Durrës (12 raste), Shkodër (1 rast), Mirditë (1 rast) dhe Korçë (1 rast).

Ndërkohë mësohet se mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm kanë ndërruar jetë në spitalin Infektiv , dy pacientë.

Njëra është një grua 82-vjeçare nga Tirana dhe tjetri një 62-vjeçar nga Durrësi, të dy me sëmundje bashkëshoqëruese. Kjo e ka çuar numrin e viktimave në 13.

Zv.ministrja Mira Rakaçolli, tha se në 24 orët e fundit janë shëruar 8 pacientë.

TË DHËNAT E FUNDIT

Në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 1671 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 243 raste.
Mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm kanë ndërruar jetë në spitalin Infektiv një paciente 82-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 62 vjeçar nga Durrësi, të konfirmuar me COVID-19, me sëmundje bashkëshoqëruese.  
Shkon në 13 numri i personave që kanë ndërrur jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve. 
Ju informojmë se aktualisht, në shërbimin infektiv aktualisht janë 77 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi një pacient të shtruar. 
Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 8 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 52.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Shkodër, Mirditë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë                 129 raste
– Durrës                  26 raste
– Lushnje                4 raste
– Elbasan                 5 raste
– Fier                       23 raste
– Kavajë                  4 raste
– Rrogozhinë        2 raste
– Korçë                    15 raste
– Vlorë                   5 raste
– Shkodër                8 raste
– Lezhë                   5 raste
– Berat                    1 rast
– Has                      2 raste
– Krujë                    5 raste
-Tropojë                4 raste
– Pukë                       3 raste
– Mirditë             2 raste

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Respektoni masat e distancimit social sepse vetëm kështu mund ta përballojmë këtë sfidë! Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 127 të urgjencës kombëtare nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19″, njofton Ministria e Shëndetësisë. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *