Facebook dhe Twitter kanë fshirë postimet e disa liderëve botërorë me argumentimin se përhapin informacione të rreme për koronavirusin.
Facebook fshiu një video të presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, në të cilën ai thoshte se hidroksilklorina ishte plotësisht efektive në trajtimin e virusit. BBC shkruan se Bolsonaro i ka inkurajuar brazilianët që të injorojnë këshillat mjekësore për distancimin shoqëror.
Videoja e fshirë e Bolsonaros, pason një tjetër postim të fshirë nga Twitter-i këtë radhë, të presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Të dy rrjetet sociale rrallë ndërhyjnë në mesazhet e liderëve botërorë, edhe kur ato janë të pavërteta.
Por rrjetet kryesore sociale janë nën presion për të luftuar dezinformatat që qarkullojnë mbi pandeminë.
Hidroksilklorina dhe klorokina kanë qenë dy prej ilaçeve më të komentuara ditët e fundit, me një pjesë të botës që mbështet përdorimin e tyre e me një pjesë jo. Por tani Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-ve (FDA) tani i ka aprovuar zyrtarisht të dy komponimet, për “përdorim urgjent” te pacientët e Covid-19 të pranuar në spital.
Të premten, Twitter-i fshiu dhe një postim të avokatit të presidentit Donald Trump, Rudy Giulianit. Avokati gjithashtu thoshte se përdorimi i hidroksilklorinës ishte “100% efektiv” në trajtimin e COVID -19. Ai citonte një përkrahës tjetër të Trump, Charlie Kirk, postimet të cilit ishin fshirë gjithashtu.