Vendosni fjalën kyçe....

Rama për “TG 5”: Kishim frikë se mjekët do thonin jo, Italia është shtëpia jonë


Kryeministri Edi Rama vijon intervistat me mediat italiane, lidhur me ndihmën e ofruar nga Shqipëria me dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve atje, për të kontribuar në luftën me koronavirusin.

Mbrëmjen e kaluar, në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve “TG 5”, Rama tha se ideja i ka ardhur duke parë konferencat me funerale dhe donte të tregonte një gjest solidariteti.

Rama tha se s’kishte pse t’i mbante mjekët në rezerva, kur mund t’i dërgonte në frontin e luftës pasi dhe Italinë e konsideron si “shtëpi”.

“Më erdhi natyrshëm. Ne jetojmë në Shqipëri, por jetojmë me Italinë, thithim ajrin e Italisë nëpërmjet televizioneve, jo vetëm në media, por edhe nga shumë shqiptarë jetojnë aty. Dhe kështu duke parë ato konferenca funerale me shumë e shumë të vdekur, duke qenë nga kjo anë, edhe ne e përjetojmë këtë agression vërtetë vrasës, nuk mundeshim më. Na erdhi natyrshëm të themi. Ne nuk jemi në gjendje ti ndihmojmë me të gjitha, por jemi në gjendje t’u demostrojmë solidaritetin tonë, afeksionin tonë të madh dhe sigurisht impenjimin tonë për të qënë aty. Nuk është se kemi burime të palimituara, edhe ne kemi këtë frikë që sistemi jonë  mund të shpërthejë, por deri tani po ia dalim, dhe sa kishim këtë kohë rezervë, thamë përse duhet t’i mbajmë rezervë dhe nuk i dërgojmë atje në front, që është shtëpia jonë në fund të fundit”, tha Rama.

I pyetur nga gazetarja lidhur me mjekët nëse e flisnin italishten, Rama u përgjigj se të gjithë shqiptarët e flasin italishten, ose edhe nëse nuk e flasin nuk humbasin në të.

Rama tha se ai kishte patur frikë se mos mjekët dhe infermierët do të ndryshonin mendim, për shkak se disa prej tyre nuk kishin lajmëruar as prindërit e tyre.

 “Shqiptarët e flasin të gjithë italishten, nuk humbin në italisht le të themi. Edhe nëse nuk e flasin si pjesa më e madhe. Dhe gjëja më e bukur ishte se kur bëmë këto telefonata për të kuptuar nëse ishin gati të niseshin, të gjithë ishin gati, madje kishte edhe nga ata, të cilët nuk u kishin thënë prindërve, na e thanë në aeroport. Kishim frikë se na thoshin jo, sepse frika e prindërve është e kuptueshme. E bëmë sipas mësimit të Nënë Terezes që thotë në vend të mallkosh errësirën ndiz një qiri. Është një qiri që shpresojmë t’i sjellë mbarësi Italisë, sepse me të vërtetë nuk mund të rri secili në shtëpi, mbyllur në dhomë duke menduar se shtëpia e tyre nuk do digjet duke parë lajme që nga ana tjetër po digjet. Është e pabesueshme”, përfundoi kryeministri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *