Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Presidenti nuk është neutral, ka synime politike dhe personale


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi tha të enjten se presidenti i Kosovës nuk është neutral por ka synim politik dhe personal.

Ai i barti këto komente disa orë pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi propozimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë Kurti javën e kaluar.

Në një letë dërguar zotit Kurti ai mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Letra e presidentit pasoi dy ditë këshillime me partitë politike parlamentare për rrugëdaljen nga situata e krijuar me rrëzimin e qeverisë Kurti.

Por, lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas përfundimit të pandemisë së korona virusit.

Një ditë më parë, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kërkoi nga presidenti që të veprojë në pajtim me nenin 82, pika 2 të kushtetutës së Kosovës ku thuhet se “Parlamenti mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Zoti Kurti shkroi sot në rrjetet sociale se “presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë”.

Presidenti, shkroi ai më tej, “takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, shkroi zoti Kurti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *