Vendosni fjalën kyçe....

Shkencëtarët australianë nisin testimet për 2 vaksina të mundshme për koronavirusin


Shkencëtarët në Australi kanë filluar testimin e dy vaksinave të mundshme të koronavirusit.

Vaksinat, të shpikura nga Universiteti i Oksfordit dhe ndërmarrja amerikane Inovio Pharmaceutical, janë lejuar për testimin e kafshëve nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Agjensia Kombëtare e Shkencës e Australisë do të vlerësojë nëse vaksinat funksionojnë dhe nëse ato do të jënë të sigurta për njerëzit. Testi i parë njerëzor u zhvillua në SHBA muajin e kaluar, por anashkaloi fazën e testimit te kafshët.

Të tjera zhvillime të vaksinave po ndodhin në të gjithë botën për momentin me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Por Organizata e Kërkimit Shkencor dhe Industrial të Australisë, (CSIRO) thotë se testet e saj do të jenë provat e para gjithëpërfshirëse para-klinike të vaksinave duke përdorur një model kafshësh.

Studiuesit thonë se shpejtësia dhe niveli i bashkëpunimit global që çoi në këtë fazë kishte qenë i pashembullt.

“Normalisht duhen rreth një deri në dy vjet për të arritur në këtë pikë dhe ne në fakt e kemi shkurtuar në një periudhë prej dy muajsh”– tha Dr.Rob Grenfell nga CSIRO para gazetarëve.

Si do të funksionojë?

Ditët e kaluara, ekipi CSIRO ka futur mostra të vaksinave në qelbësa – gjitarë të vegjël, të mbuluar me gëzof, të cilat janë provuar se e kontraktojnë koronavirusin në të njëjtën mënyrë si njerëzit.

Sars-CoV-2 është virusi që shkakton sëmundjen e Covid-19. Ka të paktën 20 vaksina në zhvillim në të gjithë botën për këtë.

CSIRO po teston dy mundësi.

Një opsion i zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit, është një vaksinë vektoriale. Përdor një virus “të dëmtuar” për të prezantuar proteinat e koronavirusit në sistemin imunitar duke shkaktuar një përgjigje.

“Por ata nuk janë në gjendje ta kopjojnë … kështu që nuk ka asnjë mundësi të sëmuren përmes kësaj vaksine të veçantë”- tha Prof.Trevor Drew, drejtor i Laboratorit Australian të Shëndetit të Kafshëve në Viktoria, ku po kryhet testimi.

Ai e përshkroi vaksinën tjetër si “mjaft të ndryshme, por megjithatë emocionuese”.

Është krijuar për të koduar proteina të caktuara të koronavirusit në sistemin imunitar, duke bërë që qelizat e trupit të gjenerojnë ato proteina përpara se sistemi imunitar të reagojë ndaj tyre.

“Është shumë e rëndësishme të marrësh një qasje shumëpalëshe për këtë”– tha Prof Drew. “Kjo na jep një mundësi më të mirë suksesi.”

Sa shpejt mund të kemi rezultate?

Rezultatet e para nga testet e kafshëve mund të zbulohen qysh në qershor, thanë shkencëtarët.

Nëse dalin të suksesshme, vaksinat mund të zhvendosen në prova klinike që mund të kryhen në laboratorë diku tjetër.

Në atë pikë, gara për të marrë ilaçin në tregun e përgjithshëm mund të përshpejtohej, por ekspertët paralajmërojnë se do të përfshijë ende një afat kohor minimal prej 18 muajsh për të përmbushur testet rregullatore dhe standardet.

Vaksina e Universitetit të Oksfordit, për shembull, po testohet gjithashtu nga një laborator tjetër mbi një kafshë të veçantë për t’u pajtuar me rregulloret e SHBA-së.

Marrë nga BBC


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *