Spanja ka humbur pothuajse 900 mijë vende pune pasi vendosi masa të rrepta për të luftuar koronavirusin.
BBC shkruan se kjo shifër e marsit, është rritja më e lartë mujore e papunësisë e regjistruar ndonjëherë në vend, që kishte që më parë një nga nivelet më të larta të papunësisë në eurozonë.
Spanja ndaloi të gjitha daljet dhe mbylli shumicën e bizneseve në mes të marsit. E sot Spanja ka shënuar një tjetër moment historik të zymtë, pasi numri i të vdekurve nga koronavirusi i kaloi 10 mijë.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, numri i infeksioneve të konfirmuara në të gjithë botën, është afër një milion ndërsa numri i viktimave ka shkuar mbi 47 mijë.
Rreth 195,000 njerëz janë shëruar në nivel global.
Të rejat nga Spanja?
Të dhënat tregojnë se 898.822 njerëz kanë humbur punën e tyre që nga fillimi i bllokimit të lëvizjes, përfshirë këtu rreth 550,000 punëtorë të përkohshëm. Shifra zyrtare e papunësisë në Spanjë u rrit në 3.5 milion, që është niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2017.
“Kjo është një situatë absolutisht e paparë”- tha ministrja e Punës, Yolanda Díaz, në një konferencë për shtyp. Sektori i turizmit dhe i ndërtimit ishte më i godituri.
Këto shifra vijnë kur ka parashikime për akoma më shumë efekte të rënda në ekonomi në të gjithë botën, për shkak të pandemisë.
Një raport i OKB-së vlerësoi se deri në 25 milion vende pune mund të humben në të gjithë botën.
Ministria e shëndetësisë në Spanjë konfirmoi se 10,003 njerëz kanë vdekur nga Covid-19, me 950 viktima të raportuara vetëm në 24 orët e fundit, një tjetër rekord i përditshëm. Ndërkohë numri i rasteve të konfirmuara u rrit në 102.136.